Nga Alda Bardhyli
‘Mu në palcë
Pikëllimi i kujtimeve tuaja,
O rrugët e errëta…’
Në fundmajin e vitit 1989, Zef Zorba u ul të shkruante mbi “errësinë” që mbartnin vargjet e tij. Teksa i kishte bërë gati poezitë në një libër (Buzë të ngrira në gaz, i cili do të botohej në vitin 2010 nga Princi), ashtu si etërit e tij shpirtëror Bodler, Ungareti, Montale, Quasimondo, ai donte të bënte rrëfimin. Fenomenologjia e brendshme e vargut duhet të shkonte si një muzikë, e të pushtonte zemrën e çdo lexuesi. Përfytyrimin vetjak ai e kishte lidhur fort me rrugën e “esencialitetit” apo “hermetizmit”, e kjo mund ta stepte një lexues të mësuar me një formë tjetër poezie.
Zorba shpjegon se kishte bërë të tijat fjalët e Ungaretit, “ai (Ungareti) dëshiron të kuptohet…se forma e mundon vetëm sepse kërkon me këmbëngulje që ajo të përkojë me ndryshimet që pëson shpirti i tij, ai dëshiron që ajo (forma) të paraqiste ndonjë prej krijimeve të arritura të tij si njeri”. Po ashtu i rrinte gjithmonë në mëndje sinteza që i bën Montales kritiku S. Solmi, kur thotë për atë “..muzika e ashpër e të cilit (Montales) zbulon koloritet, fragmentet mahnitëse të një bote të dendur, e cila nëpërmjet ecjes fatale të makinës së vet përbindëshe, shkon dora-dorës duke fshirë çdo shteg, çdo iluzion shpëtimi”.
“Vetëm se do dëshiroja të mos keqkuptohet admirimi që kam për poezi moderne që nga Bodler tek Montale, e sidomos metoda e “esencialitetit’ dhe “hermetizmit” diktuar prej tyre. Kam mësuar shumë prej tyre, kam parë si ata shprurojnë ndjenja e emocione, si unisojnë në vargjet e veta poetike çdo vështrim artistik si manipulojnë mjete të ndërlikuara duke ia shtuar një regjimi të fortë analize e kursimi…”, vijon Zorba.
Njohës i mirë i hermetizmit, ai e dinte se ndryshe nga format e tjera të poezisë, kjo poezi ngre më shumë mure para lexuesit, e se depërtimi në zemër të saj, ndonjëherë kërkon kode, që gjenden sërish në tekst.
“Tash qiellzash enden
Me qindra hënë
Të reja
Njeriu s’krijoka tjetër veç kobe:
Çelik e gizë e refraktarë;
Zogjtë artificialë,
Lindur ndër ofiçina-inkubatrice
Si hëna tokën përgjojnë
E përpunojnë
Epshe tinëzare
Trofesh e përdhunimesh…
Por hermetizmi i Zorbës është krejt ndryshe nga i frymëzuesve të tij. Ekzistencializmi që përshkron vargjet e këtij libri të çon drejt shpresës. Ndoshta se ai e gjeti shpëtimin tek shpuplimi dhe ushqimi i vazhdueshëm me leksikun e idiomat tona të traditës. Ndoshta se Zorba kishte zbuluar kuptimin e vërtetë të poezisë që është vetë ekzistenca e njeriut.
Nëse hermetizmi shihej si një frymë që i përket letërsive të tjera, ky libër i Zorbës vjen dhe pasuron letërsinë shqipe me një formë që vetë rrethanat historike e bënin të munguar.
Me një jetë të ngjashme me vargjet që shkroi Zef Zorba vjen sot në shekullin e XXI si përfaqësuesi më i mirë i poezisë shqipe i shekullit që shkoi. Kritika dhe studimet tona janë ndalur shumë pak për të treguar dimensionin e këtij poeti që u shfaq si një vezullim në letrat shqipe pas viteve 90-të, si një modernist par-exelence, i rrethuar me kureshtjen e përhershme që mbartin figura të tilla. Vetë rrëfimi i tij në pasthënien e këtij libri, tregon figurën e një poeti të thellë që endet nëpër labirinte të së brendshmes, për të treguar si krijohet muzika, ajo muzikë për të cilën poezia shqipe ka folur aq pak.
“Kam bërë përpjekje për të mobilizuar mjete nga më të ndryshmet. Për unjisim muzikal është kërkuar jo vetëm ritmi i qenësishëm në fjalët e në vargje, por edhe tentativa e riprodhimit të formave muzikore, fugat, fugatot, sonatat me tempot, kadencat etj. Ndoshta ky ka qenë guxim i tepruar e mundet edhe që të mos jetë arritur qëllimi”, shkruan ai.
Zorba është ndër poetët e vetëm që kërkon ta lidhë poezinë me muzikën, duke besuar se muzikaliteti i së brendshmes duhet të shëndrrohet në nota. “Veç drita ska mbarim”, thotë një varg i tij.
Dy fjalë për poetin
Zef Zorba lindi më 31 mars 1920 në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare. Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër më 1941 ai regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovas në Itali. I ndërpret studimet më 1943 gjatë Luftës së Dytë Botërore e kthehet në Shkodër. Në vitet 1945-1946 ai punon si regjisor në Shtëpinë e Kulturës ku vë në skenë mjaft vepra dramatike me tingëllim të qartë disident si “Juda Makabe” e Fishtës, “Armiku i Popullit” i Ibsenit, etj. Ndoshta për këtë arsye arrestohet më 1946 dhe burgoset nën akuzën e agjitacionit dhe propaganës. Vuan dënimin deri në vitin 1951. Pas burgut ndoshta e kuptoi se rruga e vetme për të jetuar me artin ishte mbyllja në vetvete dhe hermetizmi.
Shënim
Sot shenjohet 100 -vjetori i lindjes së këtij poeti nga më të rëndësishmit e gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, e asaj periudhe që ne e lidhim me soc-realizmin, por që me heshtjen e tij arriti të konfiguronte avangardizmin në poezinë shqipe.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të organizonte sot (nëse nuk do ishte kjo pandemi globale) një Konferencë Shkencore kushtuar Zorbës, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Princi”, që pritet të sjellë së shpejti veprën e tij gjithëpërfshirëse. Këtë 100 vjetor, sipas botueses, Irena Buzi, do të botohet Vepra e Parë: ‘POEZIA’, si dhe studime mbi veprën e Zef Zorbës. Libri “Vepra I: POEZIA, është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, përfshihen krijimet e poetit, ku janë poezitë e botuara në vëllimin poetik “Buzë të ngrira në gaz”. Këtij vëllimi i janë shtuar edhe disa poezi të panjohura deri më tani. Vëllimi është i pajisur me shënime. Në pjesën e dytë përfshihen përkthimet e Zorbës nga vepra poetike e autorëve italianë të ‘900-ës, që ende nuk kanë parë dritën e botimit. Këtu përfshihen poezi nga Ungaretti, Montale, Quasimondo, Pascoli, D’Annunzio, Cadarelli, Gozzano, Saba, etj. Nuk mungojnë edhe disa fotografi,ku Zorba shfaqet aq elegant në portretin, ku një vështrim i thellë vijon të komunikojë me ne ende dhe sot.
Në një prej tyre (para burgut), me shallin që i dallohet në kapotë, ai të kujton Giussepe Ungaretin e ri, ku sapo kishte zbuluar hermetizmin. Në një tjetër ai duket i sigurt pranë Terezës (gruaja e tij), e vetmja që jetoi në zonat e artit të tij.
Top Channel