Infermieret në faqe të parë të “La Republica”/ Shqiptarja Ornela me kolegët nga kontinentet e tjera

31/03/2020 12:29

Një infermiere shqiptare, Ornela dhe tre kolege të saj nga Kolumbia, Afrika dhe Italia, pushtoi sot faqen e parë të gazetës italiane, “La Republica”.

E përditshmja i kushtoi një artikull të gjatë plot tone falenderimi vendeve të ndryshme që janë sensibilizuar nga situata e rëndë e Italisë ku pandemia e COVID 19, ka marrë deri tani mbi 10.000 jetë njerëzish.

“Katër gra nga e gjithë bota për një qëllim: të ndihmojnë pacientet e COVID-19 në spitalin e Cremonës. Protagonistë të kësaj fotoje janë Bea dhe Ornela, Iolanda dhe Chiara”,- shkruan “La Repubblica”. Edhe pse jemi në mesin e pandemisë, e nevojat për personel mjekësor janë të mëdha edhe këtu, Shqipëria dërgoi në shenjë solidariteti këtë fundjavë 30 infermierë dhe mjekë në Brescia, një nga zonat më të prekura nga koronavirusi.

Gjesti u vlerësua shumë në Itali, si nga figura të politikës, ashtu dhe nga njerëz të medias. Gjatë një interviste live që zhvilloi në kanalin Italian Rai 3, kryeministri Edi Rama u pyet nga moderatorja Serena Bortone nëse ishte e vërtetë se shumë prej mjekëve dhe infermierëve që ishin nisur drejt Italisë, nuk e kanë marrë lejen e prindërve. Rama e konfirmoi një gjë të tillë, dhe mori prej saj përvec falenderimeve e mirënjohjes, edhe garancinë se do të kujdesen shumë për ta dhe se do t`ia shpërblejnë Shqipërisë këtë ndihmë.

Top Channel