Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) sërish u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës t’i përmbahen rekomandimeve, dhe të mos dalin nga shtëpitë, pa ndonjë nevojë urgjente.

Në mënyrë të veçantë, thirrja u drejtohet të moshuarve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

“Të nderuar familjarë të të moshuarve, ju lutemi kujdesuni për më të dashurit tuaj të moshuar dhe për nevojat e tyre, duke u siguruar që të mos dalin nga shtëpia”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Numri aktual i të infektuarve në Kosovë është 94, ndërsa një pacient ka humbur jetën. Për shkak të koronavirusit, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik. Autoritetet janë vënë në punë për të penguar zgjerimin e infektimit dhe një varg masash që ishin përcaktuar më herët si mbyllja e shkollave, janë zgjatur deri më 6 prill, deri kur do të vlejë edhe masa e ndalimit të lëvizjes së qytetarëve dhe makinave nga ora 17 deri në orën 6 të mëngjesit. Policia e Kosovës tha të dielën se 41 persona janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit për shkak të mosrespektimit të këtij orari. Deri më tani në Kosovë është regjistruar vetëm një rast vdekjeje nga pasojat e virusit, ndërsa një pacient është shëruar.

Sipas të dhënave zyrtare deri tani në Kosovë janë testuar mbi një mijë persona si të dyshuar për koronavirus, ndërsa kanë arritur edhe shtatë mijë teste të reja në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si dhe janë porositur edhe dhjetë mijë teste të tjera. Mosha më e prekur deri tash nga ky virus në Kosovë është mes 20 dhe 29 vjeç, ndërsa mosha më së paku e prekur është mes 60 dhe 69 vjeç, ndërkaq komuna me numrin më të madh të të infektuarve është Malisheva.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA