Klubi i Barcelonës shënon rastet e para me coronavirus.
Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja ‘La Vanguardia’ sipas së cilës, është shefi i stafit mjekësor të skuadrës, Ramon Canal ai që rezultoi pozitiv me Covid-19, ndërkohë kjo sëmundje ka kapur dhe përgjegjësin e mjekëve në sektorin e handbolt, Josep Antoni Gutierrez. Gjithnjë sipas ‘La Vanguardia’ të dy mjekët janë në spital për të marrë kurën e nevojshme ndaj këtij virusi.
Deri në këtë moment, në klubin shumësportësh të Barcelonës nuk kishte asnjë rast me Covid-19. Sportistët dhe të gjithë punonjësit e tjerë të Barcelonës janë në izolim në banesat e tyre, ashtu sikurse edhe pjesës tjetër të popullsisë duke zbatuar masën e karantinës së detyrueshme të vendosur nga qeveria spanjolle.
Sportistët e të gjithë disiplinave të Barcelonës po punojnë me programe individuale që u kanë përcaktuar trajnerët diçka që ata e kanë bërë publike teksa kanë postuar momentet e tyre të stërvitjes në rrjetet sociale.
Ndërkaq, ditë më parë, Klubi i Barcelonës bëri të ditur se ka vënë të gjitha ambientet e saj në dispozicion të autoriteteve të rajonit të Katalonjës për të përballuar emergjencën coronavirus.
Top Channel