Kroacia i drejtohet zyrtarisht FIFA-s pas eliminimit nga Portugalia, kërkon sqarime për vendimet e VAR-it dhe golin e anuluar të Gvardiolit

15/07/2026 17:20

Federata Kroate e Futbollit i ka dërguar një letër zyrtare FIFA-s, duke kërkuar sqarime për disa vendime të arbitrit dhe sistemit VAR gjatë humbjes ndaj Portugalisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës.

Sipas gazetës kroate Sportske, letra është dërguar vetëm një ditë pas ndeshjes dhe fokusohet te disa momente kyçe, veçanërisht goli i anuluar i Josko Gvardiolit në minutat shtesë, i cili do t’i kishte dhënë Kroacisë barazimin dhe do ta çonte sfidën në kohën shtesë.

HNS ka shprehur gjithashtu pakënaqësi për penalltinë e akorduar në favor të Portugalisë pas ndërhyrjes së VAR-it. Sipas federatës, arbitri ishte në një pozicion shumë të mirë për ta vlerësuar aksionin dhe nuk e kishte konsideruar fillimisht si penallti, ndërsa rasti nuk përmbushte kriteret e një “gabimi të qartë dhe evident” që justifikon ndërhyrjen e VAR-it. Federata kroate thekson se arbitri duhej të ishte thirrur për ta rishikuar vetë incidentin në monitor.

Një tjetër pikë e kontestuar është anulimi i golit të Gvardiolit për pozicion jashtë loje, pas sinjalizimit të një prekjeje minimale të topit nga Matanoviç, të regjistruar nga teknologjia e sensorit të integruar në topin zyrtar të Botërorit.

Sipas HNS, interpretimi i FIFA-s për rregullin e pozicionit jashtë loje parashikon që edhe flokët mund të konsiderohen pjesë e trupit vetëm nëse ndikojnë realisht në lëvizjen ose trajektoren e topit, gjë që ndodh vetëm në raste të qarta.

“Ne e konsiderojmë thellësisht të gabuar që një dridhje pothuajse e padukshme, e regjistruar nga një sensor, mund të vendosë rezultatin e një ndeshjeje kaq të rëndësishme”, thuhet në letrën e Federatës Kroate të Futbollit.

Kroacia ka theksuar se qëllimi i kërkesës nuk është vetëm rishikimi i rasteve të kësaj ndeshjeje, por edhe shmangia e situatave të ngjashme dhe e padrejtësive në të ardhmen.

Top Channel