Pandemia e Koronavirusit, si u gjunjëzua bota e sportit

22/03/2020 16:45

Pandemia e Koronavirusit pati një ndikim të menjëhershëm në botën sportive, sa detyroi të gjitha Federatat e disiplinave të ndryshme të ndërpresin evenimentet madje edhe stërvitjet e skuadrave.

E pësoi edhe sporti, e sidomos futbolli në vendin tonë, që nuk i shpëtoi këtij virusi vrastar. Në Kategorinë Superiore ndeshjet e fundit u luajtën më 9 mars; Skënderbeu-Kukësi e Vllaznia-Partizani, të dyja pa praninë e publikut, më pas erdhi edhe vendimi drastik i Federatës Shqiptare të futbollit për ndërprerjen e kampionatit.

Në Europë, janë ndalur edhe kampionatet më të rëndësishme. Serie A e ndëmori këtë hap e para, edhe pse u shoqërua me shumë polemika, pasi përpara këtij vendimi ishin shtyrë edhe disa ndeshje të tjera. Më pas këtë vendim e morën edhe kampionatet në Spanjë, Francë, Gjermani dhe Angli, si dhe në vende të tjera. Edhe UEFA u detyrua të dorëzohej përballë Koronavirusit, teksa ndërpreu Ligën e Kampionëve dhe Europa League, por vendimin më të rëndësishëm ajo mori në 17 mars, kur vendosi shtyrjen e Europianit të këtij viti për në 2021.

Një vendim ky që menjëherë u pasua nga ai i Konfederatës Amerikano-latine, që shtyu për vitin e ardhshëm Copa America, edhe ky një eveniment i parashikuar të mbahej këtë vit. Kaosi është krijuar në botën e motorsportit. Në Formula 1 u anulua në çastet e fundit gara e parë e Botërorit, në Australi, pas pozitivitetit me Koronavirus të një anëtari të McLarenit, ndërkohë që janë shtyrë edhe garat e Bahreinit, Vietnamit, Holandës, Spanjës e Montecarlos, duke bërë që të ngrihen pikëpyetje për fillimin e sezonit. Ndërsa në Botërorin e MotoGP u anulua gara e Katarit në MotoGP, ndërkohë që u shtynë Çmimet e Mëdha të Tajlandës, Austinit dhe Argjentinës.

Po reziston ende Japonia, që vazhdon të mbajë në program Lojërat Olimpike. Edhe pse sportistë e federata të ndryshme sportive në botë po e rrisin presionin për shtyrjen e këtij evenimenti, IOC e qeveria japoneze këmbëngulin për mbajtjen normale të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA