Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja ishte i ftuar me anë të një lidhje me “Skype”, Sekretari i Shoqatës së Bankave në Shqipëri, Spiro Grumbulli. Gjatë fjalës së tij, Grumbulli u shpreh se bankat tregtare nesër do të jenë në punë, pasi nesër është afati i fundit për bizneset që të paguajnë tatimet. Sipas tij, ky vendim nuk merret prej tyre por prej qeverisë.

Grumbulli thotë se ajo që kanë në dorë në këto momente dhe sipas tij duhet vlerësuar, është fakti që nesër do të jenë në punë, kur të gjithë institucionet do të jenë pushim. Ky veprim thotë ai po bëhet vetëm që bizneset të mos penalizohen si pasojë e mos pagimit të kësteve të tatimeve.

Denis Drynjaja: Gjithë këtë merakun që kanë njerëzit a mundeni ju që t’ua lehtësoni, që të mos kenë merakun e bankave, por të shëndetit. Pra njerëzit kanë merak të shkojnë tek bankat se s’duan të penalizohen. Juve si bankë a mund ta mendoni këtë për njerëzit?

Spiro Grumbulli: Nuk e merr banka këtë vendim. Për fat të keq nesër është ditë pushimi për të gjithë, administratën shtetërore institucionet shtetërore, nesër e kanë pushim. Bankat qendrore e kanë pushim, bankat tregtare janë në punë, sepse është afati i fundit për pagesat e tatimeve.

Denis Dyrnjaja: Po pse nuk vendosni një afat të ri, koridonohuni me tentimet dhe vendosni një afat të ri.

Spiro Grumbulli: Ne dalim sepse është dita e fundit, duhet ta ndryshojë qeveria dhe jo banka këtë.

Denis Dyrnjaja: Po ua kërkoni qeverisë këtë po them. Vendosni disa marrëdhënie me qeverinë specifike për kushtet që jemi.  Jeni shumë të distancuar nga njëri-tjetri, pra ju qëndroni në pozitën tuaj, qeveria në pozitën e vet. Njerëzit kanë hallin që të paguajnë detyrimet e veta. Ndërkohë që situate është e jashtëzakonshme. Pra a mundeni ju që t’i kërkoni qeverisë që t’u vendosi disa afate lehtësuese, që në një kontekst shkojnë në të mirë të njerëzve edhe tuajën, që të gjitha palët të përfitojnë në këtë rast jo vetëm një palë.

Spiro Grumbulli: Ne bëjmë pjesën tonë Denis, por nuk jemi ne që vendosim, nuk i marrim ne vendimet.

Denis Dyrnjaja: Ja keni kërkuar ju qeverisë këtë gjë.

Spiro Grumbulli: I kemi kërkuar Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve të kërkojnë shtyrje afatesh. Qeveria nuk është dakord dhe me masat që do të ndalin ndoshta sot, nuk ka masa toleruese për sa i përket detyrimeve tatimore. Në kushtet që nuk ka një vendimmarrje, se si do të veprojmë, ne po i vijmë në ndihmë bizneseve që të mos penalizohen.

Ne po bëjmë një ekstra përpjekje që të dalim në punë nesër, kur të gjithë janë pushim, vetëm e vetëm se subjektet do të penalizohen nëse nuk do të paguajnë deri brenda ditës së nesërme. Kjo duhet vlerësuar. Gjërat e tjera jam dakord dhe unë me ju që situate është e jashtëzakonshme dhe duhet të merren masa, por nuk i marrim dot ne. Ne bëjmë punën tonë, aq sa kemi të drejtën për të folur dhe për të parashtruar propozimet. Por vendimmarrjet nuk i kemi ne në dorë. Ne jemi krejt të sigurt sepse i takojmë industrisë të shërbimit dhe nuk mund të mbyllemi, sido që të jetë me staf të reduktuar, me degë të reduktuara, por jemi prezent dhe do të jemi në treg. Por klientët nuk kanë sepse të jenë të alarmuar banka është e hapur është aty.

Top Channel