Nga Zirina Llambro:
Kur e gjitha kjo të ketë mbaruar, ti mund të jesh një njeri krejt tjeter! Por së pari duhet të ndalosh pak! Duhet të ndalosh për të kuptuar se sado filtra të përdorësh në Instagram, askush nuk do të mundet të të shpëtojë nga e kaluara jote.
Ajo është aty, në albume me foto të lara, në foldera laptopi, në vite që kanë ikur, në lot që ke derdhur, dashuri që ke dhënë e të qeshura që ke shkëmbyer, gabime që ke bërë.
Duhet të ndalosh pak për të kuptuar se sado të imponohesh në rrjete sociale, sado ndjekës të kesh në Instagram, ka më shumë se kaq për të jetuar.
Kur e gjitha kjo të ketë mbaruar, mbase vërtet kupton se fasada s’të pi ujë në izolim dhe fytyra e vërtetë e pamaskuar nga make-up është ajo që do shohësh më shpesh në pasqyrë. Mbase nuk do të të pëlqejë dhe aq, por do të duhet ta pranosh. Njësoj do jetë edhe për ty që paburrërinë e fsheh me pushtet, para të vëna errët apo njerëz që t’u afruan thjesht për atë që ke, se për atë që je të kishin ndenjur kilometra larg.
Kur e gjitha kjo të ketë mbaruar, ti mbase do kesh më shumë guxim, guxim për të mos u trembur nga mediokriteti, për të mos pranuar propagandën, për të refuzuar kakofoninë që të ushqen me budallallëqe, guxim për të mos e lënë jetën tënde vetëm në boshllëkun e kafeneve.
Kur e gjitha kjo të ketë mbaruar, ti mbase do marrësh frymë më lehtë! Sepse ndonjë nga librat që ke postuar mundesh ta lexosh vërtet, se për t’u bërë shkrimtar askund nuk mjafton të kesh para për të botuar një libër e se aty jashtë ka njerëz që dinë shumë më shumë sesa ty dhe shesin shumë më pak dëngla. Aty jashtë ka njerëz që kanë besuar vërtet se me dije e jo me “ije” mund të arrish të ecësh përpara. Aty jashtë ka njerëz të talentuar që kanë vrapuar të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre e nuk kanë pasur “luksin” të ndjekin pasionet e tyre.
Kur e gjitha kjo të ketë mbaruar, ti do kuptosh se cilët janë njerëzit që të mungojnë vërtet, cilët s’duhet të ishin fare në jetën tënde, e cilët të kanë mbetur aty prej vitesh pa të dhënë asgjë, duke të grabitur shumë.
Kur e gjitha kjo të ketë mbaruar, ti do kesh mësuar gjëra që më parë as e mendoje që mund t’i bëje e do t’i provosh vetes që edhe ti mund të kesh një qëllim e një motiv më shumë për të jetuar.
Kur e gjitha kjo të ketë mbaruar, ti mbase do mbetesh po ai që je, por tani ndonëse nuk do, të duhet të ndalosh pak. Duhet të ndalosh pak për të kuptuar se gjithçka ke marrë të mirëqenë brenda sekondës nuk mund ta kesh më, se nuk je i paprekshëm, as i pavdekshëm. Mbase është koha që po të dhurohet për të reflektuar, për t’u pastruar, për të jetuar, jo thjesht mbijetuar! Ndaj qetësohu dhe NDALO!
Top Channel