Drejtorja e Përgjithshme e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, në intervistë për DW paraqet situatën më të fundit në Shqipëri lidhur me prekjen nga virusi Corona.

DW: Shqipëria u prek në 9 mars nga virusi Corona, i koduar COVID-9. Organizata Botërore e Shëndetësisë, (OBSH) e ka përfshirë Shqipërinë në 115 vendet e botës, për të cilat ka shpallur pandeminë globale. Dr. Fico, ju lutem, si është situata aktuale?

Albana Fico: Në momentin që po flasim janë testuar 457 raste dyshuara dhe presim përgjigje nga analiza, kemi 33 raste të infektuar me COVID-19 të shtruara në spital, 18 raste në vetëizolim, që janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe 1 rast vdekje, ai i një gruaje 73 vjeҫ, që vuante nga sëmundje të tjera.

Tirana është më e prekura me 19 raste të konfirmuara, e ndjekur nga Durrësi me 5 raste, Fieri 4, Elbasani dhe Rrogozhina 2, Kavaja 1 rast.

A mund të ishte parandaluar hyrja e virusit? Ju pyes nisur nga historiku i virusit: ai u shfaq së pari në Wuhan, Kinë, në dhjetorin e kaluar dhe në Shqipëri hyri pas 3 muajsh, në 9 mars.

Parandalimi i hyrjes së virusit është i pamundur. Në pandeminë më të madhe, më të rrezikshme, atë të vitit 1918, që njihet si pandemia e gripit spanjoll, kur në botë nuk kishte mundësi të mëdha komunikimi mes vendeve, virusi u perhap me shpejtesi dhe morri miliona jetë njerëzish. Rëndësi ka të kuptohet që parandalimi i përhapjes është një aksion i kombinuar i shumë faktorëve: informacionit për COVID-19, organizimit të trupës mjekësore, mobilizimit të logjistikes spitalore dhe përdorimit të protokolleve për adresimin e aspekteve dhe skenareve të ndryshëm sipas përshkallëzimit të infeksionit, informimit non stop të popullates. Por duhet t’ju them, që shpesh është e pamundur të identifikosh momentin e hyrjes së virusit, pasi jo gjithmonë mund të identifikohet pacienti 0. Siҫ e përmendët në pyetjen tuaj në 9 mars, u identifikua pacienti 0, rasti i parë në Shqipëri i infektuar me virusin Corona.

Sa të përgatitur e gjeti Shqipërinë identifikimi i rastit të parë, të infektuar me COVID-19?

Tre muaj më parë, kur epidemia nisi në Wuhan, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ngriti 2 instrumentë të rëndësishëm: Komitetin Teknik të Ekspertëve dhe Task Forcën, me përfaqesues nga Instituti i Shëndetit Publik,( ISHP) Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shendetësor, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit dhe institucione të tjera. ISHP përpiloi protokollet e trajtimit si pjesë e planit të emergjencës kombëtare, që janë bazuar në ato të OBSH dhe Qëndrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, (European Centre for Disease Prevention and Control, ECDC). Protokollet përfshijne gjithë aspektet e menaxhimit të situatës që nga marrja dhe transporti i mostrave, gjurmimet epidemiologjike, përkufizimi i rastit, masat për parandalimin e hyrjes dhe përhapjes së COVID-19, algoritmet e skenarëve të mundshëm të përshkallezimit të infeksionit, menaxhimi i të sëmurëve deri tek protokollet e gadishmërisë dhe trajnimet. Ato janë shpërndarë në të gjitha nivelet dhe kategoritë e shërbimit shëndetësor me urdhër të Ministrit të Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale.

Shqipëria që prej tre ditësh është mbyllur. Në rrugët e saj ka dalë ushtria dhe policia për të zbatuar masat e qeverisë Rama: vetë izolimin, mbylljen e shkollave, bareve, restoranteve, qendrave sportive-kulturore, ndalimin e transportit publik. Sa efikase pritet të jenë këto masa, si mjeke e specializuar për sëmundjet e mushkërive, me tituj shkencorë dhe përvoja të gjata profesionale në New York?

Kur OBSH shpalli në 10 mars pandeminë, mesazhi i saj përmbante edhe pavarësinë e sejcilit vend të prekur për të përcaktuar masat kundër infeksionit me COVID-19. Shqipëria ka afërsi gjeografike me Italinë, që ndodhet në një situatë të rëndë nga përhapja e virusit dhe sëmundja që ai shkakton. Mbyllja, bllokimi i lëvizjen në të dyja anët e Adriatikut për të parandaluar përhapjen e infeksionit nuk ka sesi të mosrezultojë efikas. Shqipëria është treguar e shpejtë dhe pa asnjë vonesë në marrjen e masave. Por efikasiteti i tyre varet nga sa i zbatojnë qytetarët, që janë faktori kryesor në rezultatet e masave, që ju përmendët. Shqipëria po kalon një kohë të vështirë që do të jetë test për të dyja palet: Qeverinë dhe qytetarët.

Znj. Fico masat janë njëra anë, kapacitetet të përgatitura për ta përballuar situatën, janë ana tjetër, mjaft e rëndësishme. A ka sistemi shëndetësor i Shqipërisë kapacitete: mjekë, infermierë, shtretër në reanimacion, dhoma izolimi, aparate oksigjeni etj, etj ?

Kapacitetet njerëzore, mjekë, infermierë, profesionistë të tjerë të shëndetësisë janë treinuar në mënyrë rigoroze nga ISHP, sipas një plani të miratuar nga MSHMS. Në Shqipëri ka përvoja në përballimin e epidemive. Në 20 vitet e fundit janë përballuar epidemi të rënda si SARS, MERS, pandemia e gripit në 2009. ISHP dhe punonjësit e shëndetit publik kanë përvoja shumë të mira në përgatitjen për të zbatuar Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit. Zyra Rajonale e OBSH zgjodhi Shqipërinë, vitin e kaluar, si vend organizator për aktivitetet ndërkombetare me fokus rritjen e gadishmërisë në portat hyrëse, Aeroportin “Nënë Tereza”dhe Portin e Durresit. ISHP u vlerësua nga OBSH me nota maksimale.

Numri i shtretërve, dhomat e izolimit për pacientët e infektuar, shtretërit në reanimacione, oksigjeno – terapia, respiratorët, medikamentet janë një siguri për ta përballuar situatën sipas skenarëve të rritjes së përhapjes së infeksionit dhe sëmundshmërisë. Qeveria shqiptare ka alokuar fonde shtesë për blerjen e mjeteve të mbrojtejes personale për personelin mjekësor si edhe të respiratorëve shtesë. Është përcaktuar vendi dhe përgatitur karantina për të pritur rastet e personave te dyshuar. Rekomandimi i OBSH dhe praktika e vendeve qe janë prekur përpara Shqipërisë është që vetë izolimi, vetë karantini është prioritar për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit dhe zvogëluar rrezikun e përhapjes së tij.

Si janë kapacitetet laboratorike?

Diagnostikimi i infektimit me COVID-19 bëhet vetëm në laboratorin e ISHP me metodën e përcaktuar nga protokolli i OBSH. Laboratorit i ISHP është pjesë e rrjetit ndërkombëtar të laboratorëve të ҫertifikuara për të punuar me protokolle ekskluzive. Ai është i sigurisë së lartë dhe ҫertifikohet ҫdo vit për analiza të sëmundjeve emergjente virale, ku futet edhe infektimi nga COVID-19. Por Shqipëria ka edhe një sërë laboratorësh të mirëpajisura në Qëndrën Spitalore Universitare, Spitalin Universitar për Sëmundjet e Mushkërive, Sanatorimin, si edhe laboratorë të sistemit privat të cilat mund të shërbejnë në rast nevojash në rritje.

Si e parashikoni ju kurben e rasteve te infektuara dhe te dyshuara ne ditet e ardhshme?

Eh, po kërkoni përgjigjen e pyetjes 1.000.000 $, me sa kuptoj!! Ok, atëhere po ju them që një epidemi nga një infeksion respirator ka një parameter të rëndësishem për të llogaritur kurbën epidemike: kohën e dyfishimit të numrit të rasteve të reja që lidhet me kohën mesatare për kalimin e virusit nga një person i infektuar tek një person tjetër. Të dhënat nga epidemia në Kinë tregojnë se koha e dyfishimit të COVID-19 në fazat fillestare ishte 4-5 ditë. Të dhënat më të fundit nga epidemia e COVID -19 në Itali tregojnë që me përparimin e epidemisë vërehet një përshpejtim i kohës së dyfishimit në rreth 2.5 ditë, pra dyfishim i rasteve të reja në ҫdo 2 ditë e gjysmë. Një model i ngjashëm i rritjes së kurbës epidemike vërehet edhe në Francë, Gjermani apo Britaninë e Madhe. Në këtë fazë kurba epidemike në Shqipëri përkon me një model matematik eksponencial: ajo do të vijojë deri në arritjen e pikut të epidemisë, pas të cilit do të fillojë ulja graduale e numrit të rasteve të reja të identifikuara ҫdo ditë. Atëhere faktori riprodhues në faza të mëvonëshme të epidemisë zvogëlohet derisa arrin në 1 rast të ri në ditë dhe më pak se 1. Në këtë moment epidemia e ka kaluar pikun e saj. Ne po mbledhim informacion të detajuar mbi sjelljen e infeksionit në popullatë për analiza të mëtejshme epidemiologjike në ndihmë të luftës kundër COVID-19.

Si po ecin përpjekjet globale për të prodhuar vaksinën kundër COVID-2019?

Komuniteti shkencor ndërkombëtar në fushën e mjekësisë, virologjisë dhe biologjisë molekulare dhe më gjerë janë angazhuar në disa drejtime kryesore: studimin e hollësishëm të shkaktarit të COVID-19 për detajimin e profilit gjenetik, rrugen e transmetimit tek nga burimi zoonotik tek njeriu, nga njeriu tek njeriu deri në zbulimin e vaksinës specifike.

Grupe ekspertësh ndërkombetare në Kinë, SHBA, Korenë e Jugut, Britaninë e Madhe etj po sjellin eksperiencat e tyre në rezultatet laboratorike lidhur me vaksinën. Në një konferencë shtypi, organizuar nga Presidenti i SHBA në mbështetje të shkencëtarëve amerikanë, kryetari i tyre foli për ecuri të shpejtë dhe financime që lejojnë të vijohet puna për një vaksinë specifike për COVID-19. Pavarësisht nga adrenalina e shkencëtareve, gjithë sa u tha në këtë konferencë la të kuptohet që prodhim i vaksinës kundër COVID-19 do të dojë më shumë se 2 vjet. Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 për mendimin tim ka disa karakteristika lidhur ngushtë me kohën në të cilën ndodhi./DW/

Top Channel