Këtu në njësinë e koordinimit të qendrës kombëtare të urgjencës spitalore, ndodh përballja e parë në betejën e nisur ndaj Koronavirus, tashmë prezent edhe në vendin tonë. Mbi tre mijë qytetarë gjatë 24 orëve të fundit kanë telefonuar numrin 127 për tu këshilluar.

Edhe gjatë ditës së sotme telefonatat nuk ndalen për asnjë moment.

Skënder Brataj drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore shpjegon për Top Channel me detaje natyrën e këtij bumi telefonatash.

“3027 telefonata dje nga të cilat 1128 kanë kërkuar informacion për Koronavirus, sot deri ora 12:00 687 telefonata”, shprehet Skender Brataj.

Vajzat dhe djemtë e kësaj qendre, që me plot durim e përkushtim i përgjigjen çdo telefonate, duke bashkërenduar veprimet me mjekët në terren, janë heronjtë e padukshëm, në këtë betejë që sapo ka nisur në minimizimin e pasojave nga virusi Covid 19.

Askush nuk duhet të hezitojë të telefonojë numrin 127 pasi në situatën në të cilën ndodhemi, këshillimi i parë me specialistët e kooridinimit në urgjencën spitalore, është thelbësor në identifikimin në kohë dhe trajtimin e mëtejshëm të rasteve potencialisht me Koronavirus.

Top Channel