Në spitalin rajonal të Durrësit është konfirmuar zyrtarisht rasti i parë i prekur nga Covid-19.
Ajo është një grua e moshuar nga Shënavlashi i Durrësit dhe është mbajtur në reanimacionin e spitalit të Durrësit deri në dërgimin drejt Tiranës për një trajtim të specializuar. Pacientja është shtruar në spital 5 ditë më parë me bronkopneumoni, pas kthimit nga Italia. Ndonëse tejet hermetikë në dhënien e informacioneve mbi pacienten dhe gjendjen e saj, mësohet se e moshuara ka qenë e shtruar në spital edhe në Itali, në Pordenone, qytet në veri të shtetit fqinj, në rajonin e Friuli Venezia Giulia. Pas një kontrolli në spitalin italian, sipas asaj që pacientja vetë ka treguar, nuk i kanë dhënë një diagnozë të mirëpërcaktuar për lodhjen e tepërt nga e cila ankohej. Pas daljes nga spitali, ajo ka udhëtuar drejt Shqipërisë më 27 shkurt përmes linjës së fluturimit Bolonja-Rinas.
Burime spitalore bëjnë të ditur se e prekura nuk ka pasur disa nga shenjat tipike klinike të njohura tashmë për koronavirusin e ri, si kollë të thatë, apo temperaturë të lartë, ndërkohë që i gjithë personeli mjekësor që i ka shërbyer gjatë këtyre ditëve, familjarët dhe të afërmit që e kanë vizituar në spital po i nënshtrohen analizave për Covid-19, pasi mund të jenë infektuar prej saj.
Top Channel