Nga Lara Waddell
Nëse ata që i përkasin brezit digjital janë tani midis moshës 22 dhe 36 vjeç, edhe unë i përkas këtij brezi, megjithëse jam në skalionin e atyre që anojnë nga të dytët, dhe përveç kësaj jam edhe botuese. Kjo është arsyeja pse kam vënë re me interes të veçantë kur njerëzit që nuk i përkasin brezit digjital dhe nuk punojnë në fushën e botimeve shprehin mendimin se “Lolita” e Vladimir Nabokovit nuk do të botohej kurrë në kohën e sotme për shkak të të rinjve të tmerrshëm si unë. As pas një mijë vjetësh, thonë ata. Nuk do kishte fare shanse të botohej. Kjo është një pikëpamje që shfaqet kaq shpesh sa të befason. Në revistën britanike “Spectator”, Rachel Johnson shkruante se “Lolita” në kohën tonë do flakej në grumbullin e dorëshkrimeve të refuzuara nëse Nabokovi do ta kishte shkruar tani, duke vënë në dyshim nëse ky roman klasik do të bëhej pjesë e programeve arsimore.
Ai natyrisht shpërfill faktin se romani është tashmë pjesë e programeve të tilla. Johnson më pas pyeti botuesin Dan Franklin, i cili është i dhënë pas rrjeteve sociale, por jo moshatar me pjesëtarët e brezit digjital, i cili u shpreh se nuk do ta botonte Lolitën sot nga frika se “një grupim 30 vjeçarësh” do të protestonte ndaj botimit për shkak të lëvizjeve të tilla si #MeToo dhe mediave sociale. Ndërsa promovonte filmin e saj “Libraria” (The Bookshop) vitin e kaluar, aktori Emily Mortimer foli edhe për “shenjtërinë” e #MeToo, duke i thënë Telegrafit: “Lolita do ta kishte shumë të vështirë të botohej sot”. Dhe Twitter-i ofron një menu të gjithfarëllojshme për të shfrytëzuar frikërat më të fundit të puritanëve. Duke kritikuar ashpër “botimin në hapësirë të sigurt”, folësi i lajmeve televizive dhe gazetari Iain MacWhirter shkroi në Twitter: “Askush nuk do t’a botonte romanin “Paraja” (Money) të Martin Amisit sot, një nga romanet më të mirë të shekullit të 20-të. Rrjedhimisht, as nuk mund të mendohet botimi i Nabokovit apo Bukovskit”. Krahas paralajmërimeve në fillim të videove apo në ballinë të librave për përmbajtje shqetësuese dhe për hapësira të sigurta, lufta imagjinare mijëvjeçare ndaj “Lolitës” është bërë një klishe e veçantë kulturore e çuditshme. Mu si shkop për të na rrahur, por që është kalbur.
Askush nga ata që bën deklarata të tilla nuk duket se është konsultuar me ndonjërin nga të brezit digjital, por për më tepër, duket se nuk janë konsultuar as me Google-in. Për betejën e Nabokovit për ta botuar Lolitën në kohën e tij kanë njohuri të gjithë sot, dhe nuk është aspak e vështirë të mësosh nëse je kureshtar. Kur Nabokovi mbaroi së shkruari romanin e tij në vitin 1953, ai u rropat të gjente një botues në SHBA për shkak të temës së pedofilisë për të cilën shkruhej në libër. U refuzua nga të gjitha shtëpitë e mëdha botuese, përfshirë shtëpinë botuese “Viking”, ku botuesi Pascal Covici tha se kushdo që do ta botonte rrezikonte të burgosej ose të gjobitej. Nabokovi iu drejtua shtëpisë botuese “Olympia Press”, shtëpi botuese franceze e njohur më shumë për botimin e letërsisë së bujshme pornografike. Por pas botimit në vitin 1955, Franca u bë e para në një varg vendesh që e ndaloi “Lolitën”, duke u ndjekur nga Argjentina, Zelanda e Re, Afrika e Jugut dhe Australia (ku censorët e mbajtën të ndaluar deri në vitin 1965). Një debat i nxehtë në Westminster çoi në sekuestrimin e të gjitha kopjeve nga dogana deri në vitin 1959, kur u lejua përfundimisht të botohej në Mbretërinë e Bashkuar, por aq e madhe ishte damkosja publike e librit sa botuesi i tij, deputeti konservator Nigel Nicolson, u detyrua të hiqte dorë nga posti.
Historia e vërtetë e botimit të Lolitës është shumë më interesante sesa përplasja e mërzitshme, e fesë së mbrapshtë të brezit digjital. Të shpallësh se “Lolita” nuk do të botohej kurrë në kohën tonë do të thotë të humbësh gjurmët; të shpallësh që jetojmë në një epokë të re dhe unike të zemërimit, gjë që e errëson puritanizmin e mirëfilltë seksual dhe kundërshtimin e ashpër me të cilin libri u përball dekada më parë dhe shpërfill faktin sesa shumë kemi ecur përpara. Gjëja më serioze është të bërit njësh në mënyrë të qëllimshme e kundërshtimit ndaj abuzimit dhe ngacmimit seksual me përkorësinë fantastike dhe lehtësisht të shmangshme në lidhje me seksin. E kam lexuar pjesën më të madhe të veprës së Nabokovit ku isha student. Madje, bleva shumë kollaj një kopje të “Lolitës”, në një librari të rregullt. Po, mund të jetë një roman që nuk është e lehtë ta lexosh, por është i shkruar bukur dhe kritikë e përhapur ndaj një njeriu grabitçar, manipulues. Në këtë kuptim, është roman mjaft i përshtatshëm në një epokë ku ne po hulumtojmë nuancat e pushtetit dhe të folurit në mënyrë të hapur për abuzimin seksual. Ndoshta lexuesit e sotëm do ta kuptojnë atë më shumë se kurrë më parë.
Përktheu Granit Zela
Botuar në “The Guardian”
Top Channel