Koronavirusi nuk ka shkaktuar kaos vetëm në futboll, por edhe në sporte të tjera, siç është rasti i MotoGP.
Pas çmimit të Madh të Katarit, drejtuesit e këtij kampionati vendosën të shtyjnë edhe garën e Tajlandës e parashikuar të zhvillohej në 22 mars, lajm ky që është konfirmuar nga zv/kryeministri tajlandez, Anutin Charnvirakul.
‘Fillimisht duhet të përqendrohemi te pandemia-tha Anutin që në të njëjtën kohë është edhe Ministri i Shëndetësisë-duhet të shtyjmë garën deri në një njoftim të dytë. Është në interesin e vendit dhe të pjesëmarrësve’.
Lajmërimi për shtyrjen e garës së Tajlandës vjen menjëherë pas anulimit të çmimit të Madh të Katarit që është gara e parë sezonale e parashikuar të zhvillohej në 18 mars. për shkak të virusit Covid-19, janë anuluar edhe evenimente të tjera të sporteve motoristike mes të cilave çmimi i Madh i Kinës në Formula 1 e programuar të mbahej në 19 prill në Shanghai dhe çmimi i Madh i Sanya në Botërorin e Formula E e parashikuar të zhvillohej në 21 mars.
Top Channel