Virusi mbyll shkollat/ Kosto e rënduar për prindërit

28/02/2020 18:34

Kostoja mund të rritet për prindërit në Japoni dhe Hong Kong, ku shkollat janë mbyllur deri në prill për shkak të koronavirusit. Shkollat në Hong Kong janë vënë nën presion për të kthyer mbrapsht pagesat ndërsa fëmijët janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi. Atje shkollat janë mbyllur që në fund të janarit dhe do të mbeten të mbyllura të paktën deri më 20 prill.

Të enjten, Japonia ndërmori një hap të ngjashëm, duke i kërkuar shkollave të mbylleshin për dy javë për të vënë nën fre virusin. Por prindërit në mediat sociale, kanë kritikuar vendimin duke thënë se kjo i pengon me punën. Sidoqoftë, qeveria ka thënë se do të ndërhyjë pranë kompanive, në mënyrë që ato ta bëjnë më të lehtë marrjen e pushimeve.

Zyrat dhe bizneset në Hong Kong dhe Japoni i kanë kërkuar shumë punonjësve të punojnë nga shtëpia. Por për prindërit, puna nga shtëpia dhe ndjekja e mësimeve online e fëmijëve, po rezulton e vështirë. Singapori dhe Koreja e Jugut i kanë mbajtur ndërkohë shkollat hapur, duke përdorur skanimin në masë dhe kontrollet e temperaturës ndërkohë që i kanë kërkuar prindërve të testojnë fëmijët edhe në shtëpi.

Top Channel