Protesta e Metës më 2 mars, reagon ambasadorja Yuri Kim: Demonstratat e kaluara kanë përfshirë dhunën…

28/02/2020 18:43

TIRANE- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar për sa i përket protestës së thirrur nga Presidenti i vendit Ilir Meta më 2 mars.

Ka qenë ambasadorja Yuri Kim e cila ka shpërndarë në rrjetet sociale një mesazh ku Ambasada i bënte thirrje shtetasve amerikan që të kenë kujdes ditën e 2 marsit gjatë kohës që zhvillohet protesta e thirrur nga Presidenti Meta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në njoftimin për shtyp të ambasadës amerikane thuhet se:

“Një tubim politik pritet të zhvillohet në 2 Mars 2020 duke filluar rreth orës 5:00 pasdite. Kohëzgjatja e tubimit të pritshëm nuk dihet. Demonstratat e kaluara kanë përfshirë dhunën. Forcat e sigurisë kanë përdorur topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Personeli i Ambasadës amerikane dhe anëtarët e familjes janë të lutur  për të shmangur zonën ku janë mbledhur demonstruesit.

Veprimet për të ndërmarrë:

-Shmangni vendet e mundshme të protestës përfshirë Bulevardin Kombëtar.

-Monitoroni median lokale për azhurnime.

-Jini të vetëdijshëm për vendndodhjen tuaj.

-Mbani një profil të ulët”.

Kujtojmë se Presidenti Meta e ka thirrur këtë protestë kundër qeverisë së kryeministrit Rama ku këta të fundit i ka konsideruar si “puçistë” që po bëjnë grusht shteti. Në mbështetje të Metës ka ardhur edhe opozita.

Top Channel