Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është deklaruar serish në lidhje me letër-këmbimin e Hashim Thaçit në kohën sa ishte kryeministër me krerët e NATO-s, për të mos lejuar FSK-në të shkojë në veri pa lejen e KFOR-it.

Në një postim në Facebook, Kurti shkruan se e ka publikuar këtë letër pasi që ajo ishte mbajtur e fshehur nga publiku dhe nuk ka qenë dokument i klasifikuar.

“NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës sepse ne e kemi pritur me lule e me përqafime. Nuk është e rastësishme që nga zyrtari i NATO-s unë e mora letërkëmbimin dhe jo nga presidenti ynë. Çështja është pse presidenti e bëri atë zotim mu në ditën kur edhe nënshkroi ‘Zajednicën’ me Daçiçin në Bruksel? Pse nuk e njoftoi askënd, dhe a veproi presidenti në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën?”, tha Kurti.

Për më tepër, ai ka theksuar se prania e NATO-s është e pazëvendësueshme derisa Kosova përballet me Serbinë, e cila ka pretendime territoriale ndaj saj.

“Me sa kam parë, askush nuk na ka kritikuar se përse e kemi bërë transparente një letër të mbajtur fshehtë, e cila nuk ka qenë dokument i klasifikuar, por kritikuan opinionin ligjor nga zyra ime se pse ka rekomanduar shkarkimin e presidentit. Ne jemi shoqëri e hapur që po ndërtojmë demokraci të qëndrueshme me punën e një qeverie progresive. Do të ketë dhe duhet të ketë debate e kritika e mospajtime çdoherë por duhet të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Institucionet duhet të respektojnë e zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën”, ka thënë Kurti.

Top Channel