Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesër për të shqyrtuar kërkesën e deputetëve të opozitës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme.

Mbledhja do të mbahet në ora 14:00, për të vendosur lidhur me kërkesën e deputetëve të opozitës, pasi që AAK ka mbledhur 41 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme, pas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.

Ndërkohë që data e mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme ende nuk dihet, zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti sot gjatë ditës është shprehur pro heqjes së taksës të vendosur nga Qeveria Haradinaj në nëntor 2018.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se çdo shtyrje për heqjen e tarifës komprementon seriozisht pozitën negociuese të Kosovës në dialog dhe rrezikon izolimin e vendit dhe prishjen e raporteve me SHBA dhe BE-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur në shumë raste se taksa nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën shtet.

Sot gjatë ditës në shenjë pakënaqësie lidhur me paralajmërimet për heqjen e taksës, AAK ka mbajtur një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë ku kanë vendosur pankarta me mbishkrime “Populli nuk harron, Serbia nuk kalon” , “Albin, Serbia kalon, apo nuk kalon”.

Top Channel