Greqia konfirmon tre raste/ Në Itali 17 viktima, Arabia Saudite anulon pelegrinazhin në Mekë

27/02/2020 19:45

Ka mbërritur në 17 bilanci i vdekjeve në Itali; të prekurit janë 650 dhe për momentin, vrulli i virusit, duket se nuk po ndalet. Spitali i Kremonës është thuajse në kolaps: “nuk kemi më shtretër”, thonë mjekët atje të alarmuar.

Puglia shënoi dhe ajo rastin e parë. Shtrirja e virusit vazhdon e tashmë ka mbërritur në Danimarkë, Rumani dhe Estoni, ndërsa Izraeli i kthen mbrapsht ata që shkojnë nga Italia.

Zyrtarët e shëndetit publik në të gjithë botën janë përqendruar në marrjen e masave për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri që ka infektuar të paktën 82,000 vetë në më shumë se 40 vende, që nga momenti i shfaqjes në Kinë në fund të muajit dhjetor. Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë pezulluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Uashingtoni lëshoi një paralajmërim të ri lidhur me udhëtimet duke këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin vizitat në Korenë e Jugut, vend që ka raportuar më shumë raste deri më tani pas Kinës. Autoritetet në Korenë e Jugut njoftuan të enjten 505 raste të tjera, që e çuan totalin e personave të prekur nga virusi në 1.766 vetë.

Kryeministri japonez Shinzo Abe bëri thirrje për mbyllje të shkollave për disa javë. Gjithashtu u bë thirrje që njerëzit të shmangin tubimet e mëdha për anulim të ngjarjeve sportive ose zhvillimit të tyre pa spektatorë në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit.

Arabia Saudite vendosi t`i pezulloi përkohësisht hyrjet për pelegrinazhin Umrah në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës, për shkak të frikës së përhapjes së mundshme të koronavirusit. Autoritetet saudite ua pezulluan hyrjen në vend edhe turistëve që vijnë nga vende me koronavirus. Ministria e Punëve të Jashtme tha se hapat po merren për të mbrojtur qytetarët dhe turistët, duke theksuar se ato janë të përkohshme.

Top Channel