Ruseti: “Të gjithë banorët e prekur nga tërmeti t’i drejtohen njësive administrative për aplikimin”

Përmes një aplikimi që zgjat 10 minuta, qytetarët mund të përfitojnë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ose një banesë të re, në rastet kur shtëpia u është shpallur e pabanueshme. Kur ka mbetur një ditë nga mbyllja e aplikimeve për programin e rindërtimit, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti dhe deputetja e PS, Elona Gjebrea, inspektuan procesin në Njësinë 1, ku puna po vijon me orare të zgjatura.

“Aplikimi është shumë i shkurtër, zgjat vetëm 10 minuta. Procesin e kemi lehtësuar shumë, qytetari paraqitet në njësinë administrative vetëm me kartën e identitetit dhe certifikatën e pronësisë ose çdo dokument tjetër, i cili e lidh familjen e tij me apartamentin ku ka banuar paraprakisht. Kaq mjafton për t’u bërë pjesë e programit”, tha Ruseti.

Nënkryetarja sqaroi se aplikimi në këtë program është e vetmja mënyrë për të përfituar dëmshpërblim ose rindërtim banese. “Jemi pothuajse në fund të afatit. I njoftojmë qytetarët se kanë ngelur vetëm 1 ditë për të aplikuar; është e vetmja mënyrë sesi qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të bëhen pjesë e programit të rindërtimit. Në rastet kur kanë pak dëme, duhet t’i drejtohen në një fazë të dytë Postës Shqiptare për të tërhequr lekët “cash” për riparimet që duhet të bëjnë në banesat e tyre. Por, nëse kanë dëme thelbësore, ata do të bëhen pjesë e programit të rindërtimit, që do të thotë: ose u ndërtohet shtëpia në po të njëjtin vend që kanë pasur, ose do të bëhen pjesë e lagjeve të reja që do të ndërtohen në Tiranë”, theksoi ajo.

Më pas, në një fazë e dytë, Bashkia e Tiranës do të njoftojë të gjithë qytetarët që e kanë kaluar fazën e parë dhe janë kualifikuar si aplikues të rregullt për procesin e rindërtimit për të dorëzuar dokumentet. “Në këtë moment qytetarët plotësojnë një formular që autorizojnë njësinë administrative dhe punonjësin e saj për të gjeneruar dokumentet për ta; kjo do të thotë se në momentin e dytë, nuk do të duhen t’i drejtohen më njësisë administrative, por mund ta ndjekin procesin e aplikimit të tyre përmes telefonit, duke skanuar një barkod i cili gjenerohet automatikisht nga sistemi në çdo formular aplikimi”, tha Ruseti.

Deputetja e PS, Elona Gjebrea i bëri thirrje të gjithë banorëve të prekur nga tërmeti që të shfrytëzojnë edhe këto dy ditë që kanë mbetur për të aplikuar. “Jemi optimist se do të kapim afatet, do arrijmë që të gjithë personat e dëmtuar nga tërmeti të kenë aplikuar komform kuadrit ligjor. Një apel për të gjithë qytetarët, të cilët nuk kanë arritur të aplikojnë deri tani, afati i aplikimit është data 28 shkurt. Do t’ju lutesha që të përfitojnë nga kjo mundësi, duke patur parasysh se edhe dyert e njësisë 1 janë të hapura me orar të zgjatur”, tha Gjebrea.

Top Channel