Trageti i linjës Durrës-Ankona, përplaset me atë të linjës së Bari-t

26/02/2020 21:29

Moti i keq ka shkaktuar një incident në portin e Durrësit, por fatmirësisht pa probleme.

Mbrëmjen e sotme trageti ”Klaudia” i linjës Durrës-Ankona në momentin që ka tërhequr spirancën dhe është shkëputur nga kalata për të nisur lundrimin drejt Italisë me udhëtarë dhe mjete në bord, është spostuar nga era e fortë duke u përplasur me një prej trageteve të linjës Durrës- Bari.

Nuk raportohet për dëme në njerëz apo në dy tragetet e përfshira në këtë incident, po në tragetin e linjës së Ankonës ka pasur tronditje të udhëtarëve që lundrojnë në të në çastin e spostimit nga era dhe përplasja me mjetin tjetër lundrues.

Menjëherë Kapiteneria e portit të Durrësit dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare kanë organizuar operacionin për normalizimin e situatës. Dy rimorkiatorë dhe një i tretë që qëndron në gadishmëri po ndihmojnë në daljen e tragetit nga porti i Durrësit dhe vijimin e lundrimit drejt Ankonës. Ky traget duhej të ishte nisur më parë por moti i keq që ka përfshirë bregdetin shqiptar e ka vonuar nisjen në kohë të tragetit.

Top Channel