Ish-luftëtari i UÇK-së refuzon ftesën e Speciales: Nuk e njoh këtë gjykatë

25/02/2020 12:44

Një tjetër ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Bëhet fjalë për Faik Zogajn, por që i njëjti ka thënë se nuk do t’i përgjigjet thirrjes së Speciales. Zogaj u shpreh se nuk e njeh këtë gjykatë derisa të dënohen kriminelët që i vranë familjarët.

“Kam pranuar ftesë në cilësinë e të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë, të cilës nuk do t’i përgjigjem më datë 21.03.2020 sepse unë personalisht nuk e njoh këtë gjykatë derisa kjo gjykatë t’i dënojë kriminelët që më vranë më të dashurit e mi brenda në shtëpi”, tha ai.

Zogaj shtoi se ndihet i nderuar që ka qenë pjesë e UÇK-së ndërsa theksoi se nuk e heq asnjë shkronjë nga e kaluara e tij.

“Në tërë veprimtarinë time jetësore atdhetare asnjëherë nuk jam ndier më i nderuar dhe respektuar se sa kur isha pjesë e UÇK-së. Asnjë shkronjë nuk e heq nga e kaluara ime në të gjitha periudhat e veprimtarisë sime. Lavdi dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, përfundoi ai.

Top Channel