“Bota ka arritur në një “pikë kritike” nga infektimi i koronavirusit”, ky është paralajmërimi i bërë nga Sky News duke cituar një ekspert, i cili shton se frika për një pandemi globale po rritet.
Profesori Paul Hunter nga Universiteti i Anglisë Lindore tha se përhapja e deritanishme e COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, jashtë Kinës është “jashtëzakonisht shqetësuese” dhe rritja e shpejtë e rasteve në Itali është “një shqetësim i madh për Evropën”.
Çfarë është një pandemi?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), një pandemi përcaktohet si përhapja në mbarë botën e një sëmundje të re. Gjithashtu mund t’i referohet një sëmundje e cila është e përhapur në një vend të tërë, siç është Kina.
Megjithatë OBSH thotë se nuk do të deklarojë një pandemi, pasi nuk e përdor më këtë si një term zyrtar me shpërthime të reja të viruseve – por COVID-19 mbetet një emergjencë ndërkombëtare.
“Ne mund të fillojmë ta përshkruajmë atë si një pandemi, por për momentin ne themi se ka grupime dhe shpërthime në disa vende të kësaj sëmundje,” tha një zëdhënës i OBSH.
Në vitin 2009, shpërthimi i gripit të derrit H1N1 u shpall një pandemi, por doli të ishte pandemi e butë, duke çuar në kritika pasi kompanitë farmaceutike nxituan zhvillimin e vaksinave dhe ilaçeve.
Si shpallet një pandemi?
Sipas një raporti në vitin 2017, OBSH thekson se ka katër faza për të përshkruar shpërthimin e një pandemie.
Faza interpandemike – kjo është periudha midis pandemive.
Faza e alarmit – kjo është kur një virus i ri është identifikuar dhe vlerësimet e rrezikut janë kryer në nivelin lokal, kombëtar dhe global.
Faza pandemike – kjo është periudha e përhapjes globale të virusit. Disa ekspertë thonë se kjo padyshim po ndodh me koronavirusin.
Faza e tranzicionit – kjo është kur rreziku global zvogëlohet dhe vendet fillojnë të shërohen nga sëmundja.
Në kontrast me një pandemi, një epidemi i referohet përhapjes së sëmundjes në një “komunitet ose rajon dhe nuk e tejkalon pritshmërinë normale”
Pse po flasim për një pandemi të mundshme të koronavirusit?
Janë identifikuar më shumë se 79,000 raste të dyshuara dhe të konfirmuara të COVID-19, kryesisht në Kinë ku e ka origjinën, me më shumë se 2.600 vdekje.
Tani ekziston shqetësimi për përhapjen e virusit midis njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me Kinën. Rastet në Itali janë rritur brenda disa ditësh dhe vendi tani ka numrin më të madh të të infektuarve në Evropë.
Top Channel