Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kujtoi kohen kur mbahej Konferenca e Rambujesë para 21 vitesh për të përçuar edhe një mesazh që të ruhet uniteti i brendshëm politik e qytetar dhe të ecët përpara së bashku me miqtë ndërkombëtarë.

Thaçi shkroi se para më shumë se dy dekadash Kosova për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten.

Për kreun vendit, para 21 vitesh Kosova u radhit në anën e drejtë të historisë, në bashkësinë e popujve që ndajnë vlerat dhe parimet e civilizimit perëndimor.

Në këtë ditë, Thaçi tha se kujtojmë të gjithë heronjtë e rënë në luftë dhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së dhe partnerëve tjerë euroatlantikë.

Postimi i plotë i Thaçit

Në Rambuje, 21-vjet më parë, Kosova për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten. Pas negociatave rraskapitëse, tri javore, delegacioni ynë i ofroi bashkësisë ndërkombëtare pajtueshmëri në parim për marrëveshjen e negociuar. Shteti i Serbisë, paralelisht me gjenocidin që kryente në Kosovë, refuzoi mundësitë për arritjen e marrëveshjes për paqe.

Pas konsultimeve dhe marrjes së pëlqimit nga populli i Kosovës, marrëveshja në mes palës kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare zyrtarisht u nënshkrua në muajin mars, në Paris. Kosova u radhit në anën e drejtë të historisë, në bashkësinë e popujve që ndajnë vlerat dhe parimet e civilizimit perëndimor. Pas kësaj ndodhi intervenimi i NATO-s dhe fituam lirinë, para se të bëhemi shtet. Kosova, për 12 vjet pavarësi ka arritur më shumë se cilido shtet tjetër.

Në këtë ditë kujtojmë të gjithë heronjtë e rënë në luftë dhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së dhe partnerëve tjerë euroatlantikë. Edhe sot, në kapitullin e ri për integrim në NATO dhe BE, si asnjëherë më parë, në Kosovë kërkohet ta ruajmë unitetin e brendshëm politik e qytetar dhe të ecim përpara bashkë me miqtë ndërkombëtarë. HTH

Top Channel