Koronavirusi/ Rëndohet bilanci, shkon në 53 numri i të infektuarve në Itali. Kontrollet vijojnë për 450 persona

22/02/2020 15:01

Vijon të përkeqësohet bilanci i të prekurve nga koronavirusi në Itali. Deri më tani sipas mediave vendase janë konfirmuar të prekur me virusin vdekjeprurës 53 persona.

Nga kontrollet e vazhdueshme të bëra këtë të shtunë, 41 prej të prekurve janë zbuluar në Lombardi ndërsa 12 raste janë konfirmuar në Veneto. Dy prej të prekurve me koronavirus janë familjarë të burrit që vdiq të premten në mbrëmje nga koroanvirusi. Ndërkohë sipas asaj që raportojnë mediat italiane  në total po kontrollohen 450 persona të cilët dyshohet se janë prekur nga koronavirusi.

Emergjencat civile kanë bërë apel që qytetarët të paraqiten në spitale vetëm nëse është e nevojshme. Në total, viktimat janë dy. Një 78 vjeçar në Veneto dhe një e moshuar në Lombardi.

Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza ka lajmëruar se shumë shpejt edhe në Veneto, krahinën në Venecia, do të merren masa kufizuese si ato të marra për 10 komunat në rrezik në Lodigiano. Ndërsa rrezikon të njëjtën gjë edhe Lombardia, me kryeqytet Milanon, ku një nga rastet e prekura nga virusi raportohet se është në gjendje të rëndë.

Në zonat më të prekura, janë marrë masa për kufizimin e lëvizjeve, shkollat janë mbyllur, ndërkohë që farmacitë në të dy rajonet po raportojnë për mungesa maskash mbrojtëse. Kryeministri italian, Giusepe Conte, ka mbledhur komitetin operativ të mbrojtjes civile, për të vlerësuar masat e reja të jashtëzakonshme. Po punojmë pa pushim për të reaguar me forcë të plotë ndaj kësaj emergjence – ka thënë ai.

“Ne po verifikojmë të gjithë personat që kanë hyrë në kontakt me këta pacientë. Mund të ketë një rritje të mëtejshme të rasteve, por e rëndësishme është të të marrim masat për të evituar përhapjen e mëtejshme” tha më pas a.

Bilanci i viktimave në nivel botëror tani ka shkuar në 2360. Numri total i rasteve të konfirmuara është 77662 ndërsa pacientët e shëruar 21029.

Drejtori i OBSH ka shkruar në twitter se në 80 për qind të rasteve, prekja nga koronavirusi është e lehtë, në 20 për qind kritike dhe në 2 për qind virusi është fatal. Pas Kinës, veçanërisht shqetësuese është situata në Korenë e jugut, ku numri i rasteve është dyfishuar brenda një dite.

Zyrtarët të shtunën thanë se 229 raste të reja ishin konfirmuar që nga e premtja, duke e çuar numrin total në 433.

FOTO GALERI
1/16
Viktima e pare ne Itali. Adriano Trevisan, 78 vjec, vdiq ne spital ne verilindje te Italise mbremjen e se premtes

Top Channel