Turneu më i vogël kontinental për futbollin e klubeve uli siparin e 16 ndeshjeve të para që do të zbulojnë përmes fazës së eliminit direkt, edhe skuadrat e mbijetuara të Europa Ligës. Inter hipotekoi kualifikimin me suksesin 2-0 në fushën e Ludogorets, duke e kthyer ndeshjen e San Siros në një formalitet.

Në fraksionin e dytë pas shtyllës së Aleksis Sançez, u ngjit në skenë danezi Eriksen. Blerja e re e janarit fillimisht gjeti golin e parë me fanelën zikaltër e më pas goditi tranversën. Rrjeta e dytë erdhi përmes penalltisë së Lukaku në kohën shtesë.

Mancester Junaitid nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në fushën e Klab Bryzh, një rezultat që lë të hapur kualifikimin që do të vendoset pas një jave në Old Treford. Denis prishi ekuilibrat në favor të belgëve por sulmuesi Marsial fiksoi shifrat finale. E komplikoi rrugëtimin Europian, Ajaksi i Amsterdamit që humbi 2-0 në fushën e Getafes. Iberikët arritën të tundin rrjetën me Dejverson dhe Kenedi, e këtë rezultat do ta mbrojnë me fanatizëm edhe në Holandë.

Salzburgu u rrëzua pa kushte në Frankfurt kundër Ajntrahtit vendas me shifrat 4-1. Tripleta e japonezit Kamada ishte surpriza më e bukur e mbrëmjes. Ra në sy gjithashtu përballja e pretendentëve Shaktjor Donets dhe Benfika, që u mbyll 2-1 në favor të ekipit ukrainas.

Roma prevaloi ndaj Gent me një gol të Perez por avantazhi i brishtë në Olimpiko nuk siguron asgjë për kualifikimin. Në pozicion të diskutueshëm edhe Arsenal që fitoi 0-1 ndaj Olimpiakos në Athinë me golin e Lakaset, por në kthimin në Emirejts Stedium synon të mbyllë llogaritë. Bajer Leverkusen mundi 2-1 Porton por luzitanëve mund tu mjaftojë një sukses minimal në kthim, nëse mbajnë rrjetën të paprekur ndërsa Bazel i shqiptarëve praktikisht është në fazën tjetër pas suksesit të thellë 3-0 në Qipro kundër Apoelit.

Top Channel