Në ditën kur komuna e Gjilanit, ka vendosur flamujt në gjysmë shtizë për nder të familjes Bllaca, e cila humbi pesë anëtarë të familjes, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka apeluar që ky rast të jetë mësim për të gjithë dhe të mbledhin forcat për mirëqenie më të mirë.

Osmani: Apeloj të jetë rasti i fundit

“E kam të vështirë që të gjej fjalë për t’iu ngushëlluar. Ne ndjejmë sot po kaq dhimbje sa edhe secili prej jush. Në këtë ditë zie dhe trishtimi më lejoni që të lutemi të gjithë bashkë, që shpirtrat e tyre të jenë të fundit që na i pllakosin zemrën nga dhimbja… zemra sot rreh fort për këtë Gjilan që e ka kapluar heshtja. Duam që sot të jemi bashkë dhe ta ndajmë mesazhin e shpresës. Por t’i rimbledhim fuqitë tona”, tha Osmani.

Krahas kësaj, ajo tha se institucionet e Kosovës deri më tani nuk kanë pasur iniciativa që të zgjidhen problemet me të cilat qytetarët po ballafaqohen çdo ditë.

Osmani: Mos të heshtim ndaj vetvrasjeve

“Sot institucionet tona duhet të flasin për problemet e shëndetit mental. Disa organizata joqeveritare nga numrat qe kanë mbledhur thonë se një qytetar në Kosovë në javë bënë vetëvrasje. Këto shifra assesi nuk duhet t’i injorojmë.. shumë herë organizatat joqeveritare dhe qytetarët tanë janë para iniciativave të institucioneve… tash e tutje duhet të jemi edhe ne në hap me iniciativave të rinjve tanë që të zgjidhen këto probleme dhe kujdes nga ana jonë”, ka shtuar Osmani.

Osmani që udhëheq me Kuvendin e Kosovës ka përmendur edhe thatësirën me të cilat po ballafaqohet Gjilani, të cilin e vizitoi ajo sot. Ajo u zotua që do të sigurohen që mjetet do të shfrytëzohen në mënyrë transparente.

Osmani:Autostrada e Anamoravës do të bëhet

“Autostrada e Anamoravës do të bëhet por korrupsionit do të ndalet. Ne jemi të vendosur që ta ndërtojmë vendin…”, ka shtuar Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës së bashku me kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri kanë vendosur lule pranë shtatoret së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Mullë Idriz Gjilanit dhe Agim Ramadanit.

Gjatë vizitës në Gjilan, kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka vizituar edhe shkollën fillore “Thimi Mitko”.

Osmani nga aty tha se ka ardhur koha që arsimi të jetë themeli i një shteti prosperues. Ajo ka këshilluar të gritha vajzat e reja që të jenë të zonjat dhe mos të ndikohen nga paragjykimet se ndonjë profesion nuk është për to.

Top Channel