Kurti: Vlerësojmë angazhimin e Rugovës për liri dhe pavarësi

17/02/2020 11:51

Për nder të 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani bënë homazhe dhe vendosen kurora lulesh te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ku thanë se veprimtaria e ish-liderit të LDK-së për lirinë dhe pavarësinë e vendit do të vlerësohet gjithmonë.

Për Kurtin kjo ishte hera e parë që bën homazhe pranë varrit të presidentit të parë të Kosovës së lirë. Ai theksoi se puna e ish-presidentit Rugova për liri dhe pavarësi të vendit do të vlerësohet gjithmonë.

“Sot tek sa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të shpalljes së e pavarësisë, kujtojmë presidentin e parë të Kosovës Ibrahim Rugovën, të zgjedhur me votë popullore me 24 maj të vitit 1992, një dekadë më vonë më 4 mars të vitit 2002 në Kuvendin e Kosovës doktor Rugova rizgjidhet sërish president i Kosovës kësaj radhë president i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo ne vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi”, u shpreh Kurti.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani deklaroi se presidenti Rugova ishte ideator i projektit të shtet formimit. Po ashtu, ajo shtoi se kontributi i Rugovës do të vlerësohet gjithmonë.

“Ishim këtu për të nderuar kontributin e presidentit historik Ibrahim Rugova, në ndërtimin e themelit të shtetit tonë si ideator i projektit të Kosovës shtet të pavarur dhe sovran dhe natyrisht kontributin e tij në bashkimin e të gjithë shqiptarëve në Kosovë rreth kësaj ideje, dhe sublimimit dhe artikulimit të qartë të popullit tonë për liri e pavarësi e nderojmë sot natyrisht kontributin e tij dhe të gjithë bijve e bijave të cilët u bashkuan rreth lëvizjes së madhe të shqiptarëve për ta artikuluar këtë vullnet të qartë, këtë vullnet për liri dhe pavarësinë tonë”, tha Osmani.

Kurti dhe Osmani kanë bërë homazhe edhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Top Channel