Kreu i NATO-s paralajmëron kundër ambicieve të veçuara të mbrojtjes së BE

15/02/2020 19:59

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s paralajmëroi anëtarët evropianë të aleancës për minimin e lidhjeve transatlantike me planet e tyre për ndërtimin e një ushtrie evropiane.

Gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Jens Stoltenberg përshëndeti planet e BE për të rritur aftësitë e mbrojtjes dhe shpenzimet, por gjithashtu paralajmëroi aleatët kundër dyfishimit të përpjekjeve ushtarake dhe fajësimin e SHBA.

“Disa thonë se përgjigjja është ‘më shumë Evropë’ dhe unë jam dakord, por kjo është vetëm një pjesë e saj, sepse më shumë Evropë nuk mund të nënkuptojë Evropë të vetmuar”, theksoi ai.

“Çdo përpjekje për të distancuar Evropën nga Amerika e Veriut jo vetëm që dobëson lidhjen transatlantike dhe aftësinë tonë për të konkurruar në skenën globale, por gjithashtu rrezikon ndarjen e Evropës”, shtoi ai.

Shtyllat kryesore të BE, Franca dhe Gjermania, kanë ngritur planin për ndërtimin e një ushtrie evropiane vitet e fundit, pas lëvizjeve të njëanshme të politikës së jashtme nga presidenti i SHBA, Donald Trump. Trump në mënyrë të përsëritur ka paralajmëruar evropianët të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, duke kërcënuar me tërheqjen e trupave të SHBA nga Evropa.
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas të premten bëri thirrje për një bashkim evropian të mbrojtjes brenda dhjetë viteve të ardhshme. Ai ka qenë një kritik i zëshëm i politikës së jashtme të Trumpit dhe është shprehur vazhdimisht në favor të asaj që e ka quajtur “më shumë Evropë” në mbrojtje.

Top Channel