Ndërsa një tufë me tullumbace shumëngjyrëshe fluturon mbi qiellin e mbrëmjes në gaza, dëgjohet edhe një breshëri armësh zjarri. Momente më herët, tullumbacet ishin lëshuar nga një grup palestinezësh të rinj, të maskuar, nga afër kampit të refugjatëve Al Bureij.

Ata kishin të lidhur eksplozivë dhe ishin hedhur për të fluturuar drejt izraelit. Trupat izraelite përgjatë kufirit u përpoqën ti rrëzonin, por tullumbacet vazhduan fluturimin. Lëndët shpërthyese të lidhura me tullumbace apo me balona, janë shfaqur si armë në Gazan e kontrolluar nga grupi islamik Hamas gjatë protestave të 2018, kur ato shiheshin mbi kufi  çdo ditë, duke shkaktuar me dhjetëra zjarre në fermat dhe komunitetet izraelite.

Palestinezët thanë në atë kohë se ata donin të mbillnin frikë dhe rrënim mes izraelitëve, si ndëshkim për bllokadën 13-vjeçare të shtetit hebre mbi Gazan, që kombet e bashkuara e kanë identifikuar si shkak kryesor për varfërinë në rrip.

Izraeli fajëson Hamasin për sulmet me tullumbace, që duket se u ndaluan pasi të dyja palët arritën një marrëveshje për zbutjen e bllokadës në këmbim të qetësisë. Por armiqësitë u rikthyen që kur presidenti Donald Trump publikoi planin e tij të polemizuar për paqen në lindjen e mesme.

Top Channel