Në kohën e përplasjeve të fortë më Turqinë, parlamenti sirian e njohu si genocid vrasjen e qindra mijëra armenëve nga ana e Perandorisë Osmane gjatë viteve 1915-1917. Vendimi vjen në kohën kur tensionet me Ankaranë  janë në pikën më të lartë, për shkak të luftimeve në verilindje të Sirisë. “Parlamenti e njeh dhe e dënon genocidin e kryer ndaj armenëve nga shteti otoman në fillim të shekullit XX”, thuhej në deklaratën e ligjvënësve sirianë.

Turqia është një prej aktorëve kryesore në konfliktin sirian, pasi mbështet forcat rebele që luftojnë kundër presidentit, Bashar al-Asad. Situata e krijuar ka sjellë tensione edhe mes Ankarasë dhe Moskës, aleate të Assadit. Turqit osmanë vranë dhe dëbuan rreth 1.5 milion armenë, një pakicë e krishterë në Perandorinë kryesisht myslimane, gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. Shumë historianë dhe disa vende të tjerë e konsiderojnë masakrën si genocid.

Por vetë Turqia, anëtare e NATO-s, e kundërshton një përcaktim të tillë, nën pretendimin se vdekjet ishin më shumë rezultat i konflikteve civile sesa një përpjekje e planifikuar e qeverisë osmane për të asgjësuar armenët. Armenia këmbëngul se vrasjet masive janë një nga shembujt e parë të genocidit në historinë moderne, përpara Holokaustit të kryer nga Gjermania naziste ndaj më shumë se 6 milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tetorin e vitit tw kaluar, edhe Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara miratoi me shumicë votash një rezolutë, e cila e njihte si genocid masakrën ndaj armenëve.

Top Channel