Mallakastar pa energji e ujë të pijshëm, punëtorët refuzojnë riparimin e defektit: Jemi në grevë

13/02/2020 17:54

Një defekt në linjën e tensionit të lartë ka lënë pa ujë të gjithë rrethin e Mallakastrës dhe pa energji elektrike të paktën 60% të kësaj zone.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se defekti ka ndodhur rreth një orë më parë dhe prej kësaj kohe zona e Mallakastrës nuk furnizohet me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike.

Stacioni i pompimit të ujit të pijshëm në Poçem furnizohej pikërisht nga linja elektrike që pësoi defekt dhe për pasojë është e pamundur furnizimi i qytetit me ujë.

Ndërkohë punonjësit e elektro-stacionit thonë se nuk do t’i rivënë pompat në punë pasi qe prej mesditës së sotme, janë në grevë urie.

Kujtojmë se paraditen e sotme 17 punonjës të stacionit të pompimit të ujësjellësit dhe elektrik në Poçem kanë dalë në protestë. Ata kanë stakuar pompat e ujit dhe nënstacionin elektrik duke ndalur punën e për pasojë duke lënë pa energji elektrike një pjesë të fshatrave të Mallakastrës dhe gjysmën e territorit të bashkisë.

Në mbështetje të grevistëve të urisë kanë vajtur edhe një grup naftëtarësh të uzinës së Ballshit. Edhe këta të fundit kanë 4 muaj që nuk marrin pagat.

Top Channel