Moment historik në Bangladesh! Zhvillohet ceremoni mortore për një prostitutë; konsiderohej tabu

12/02/2020 13:44

Disa aktiviste në Bangladesh kanë organizuar ceremoninë e varrosjes së një prostitute, gjë e cila ndodh për herë të parë në një vend islamik, duke thyer në këtë mënyrë një tabu të gjatë në një komb me shumicë myslimane.

Hamida Begum, e cila punoi në një nga bordellot më të mëdha në botë në fshatin Daulatida, vdiq nga sëmundja javën e shkuar në moshën 65-vjeçare. Një numër i konsiderueshëm njerëzish u mblodhën në varrin e saj për të dëshmuar këtë moment historik. Prostitucioni është i ligjshëm në Bangladesh, por udhëheqësit islamikë më parë kanë refuzuar të zhvillojnë ceremoni mortore për këtë kategori.

Vite me radhë prostitutat që vdisnin zakonisht varroseshin në varre të panjohura ose më keq, duke përfunduar në lumenj. Këtë fat do të mund ta priste edhe zonjën Begum, por me anë të një koalicioni, prostituta të tjera arritën të bindnin policinë lokale që të flisnin me udhëheqësit shtetërorë për t’i dhënë asaj një varr zyrtar.

Si rezultat, u mbajt një varrim fetar për të javën e shkuar. Midis personave që ishin të pranishëm në ceremoni, ishin dhe djali i të ndjerës, Mukul Seikh dhe vajza e saj Laxmi. Pikërisht kjo e fundit në një intervistë të dhënë për agjencinë e lajmeve AFP tha:

“Asnjëherë nuk e kam menduar që ime më do të merrte një lamtumirë kaq të nderuar. Nëna ime u trajtua si një qenie njerëzore”.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel