Shpëtohen studentët/ Po ngjisnin malin në mes të stuhisë

11/02/2020 20:19

Në shumicën e shtypit britanik, janë përshkruar si “katër idiotë“ të rinjtë që ishin nisur në mesin e stuhisë ‘Ciara’ për t`iu ngjitur malit më të lartë në Britani, Ben Nevis. Studentët të cilët besohet të jenë nga Glasgow, ishin të keqpajisur për një aventurë të tillë. Nuk kishin mjetet më të bazike për ngjitje e as harta orientuese, ndërsa në këmbë, mbanin atlete të zakonshme.

Ekipet e shpëtimit thonë se është “ një mrekulli” që alpinistët e “çmendur” janë sot gjallë. Punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë arritën t`i shpëtonin ata nga hipotermia dhe erërat që mbërrinin shpejtësinë 130 km/h. Të rinjtë, në një moment ishin shkëputur dhe nga njëri tjetri.

Fatmirësisht, u kujtuan të përdornin aplikacionet në telefonat celularë për të treguar vendndodhjen, e kjo i ndihmoi shumë 22 vullnetarët që u nisën t`i kërkonin, pavarësisht kushteve tejet të vështira atmosferike. Operacioni i shpëtimit nuk qe i lehtë, dhe zgjati mjaft, ndërkohë që ekipi i shpëtimit u përball edhe me rrezikun e rrufeve. Të katër të rinjtë, janë duke marrë trajtim mjekësor në spital.

Top Channel