“Ciara” shkakton viktima/ Stuhia godet disa vende europiane

11/02/2020 20:15

Aktivistët e mjedisit klimës besojnë se egërsia e stuhisë Ciara, që ka mbjellur kaos në disa pjesë të Europës, është një tregues i faktit se duhet kaluar sa më parë në veprim kundër ndryshimeve klimatike.

Doktor Steve Johnson, i grupit XR Furness thotë se brenda pesë viteve, komunitete të ndryshme në Britaninë e Madhe janë përballur dy herë me përmbytje masive, që normalisht, ndodhin një herë në 100 vjet. “Kjo duhet parë si provë e faktit që ka ardhur koha për të vepruar, boll më me fjalë”, u shpreh ai.

Stuhia Ciara ka shkaktuar të paktën 8 viktima në mbarë Europën. Erërat e fuqishme në Poloni shkatërruan çatinë e një dyqani, duke vrarë një grua dhe dy vajzat e saj. Babai i tyre mbeti i plagosur.

Një burrë vdiq pasi varka e tij u fundos në jug të Suedisë. Një person tjetër që gjendej në bord, ende konsiderohet i zhdukur. Dy vetë humbën jetën në makinat e tyre,  një në Gjermani dhe një në Slloveni. Në veri të Italisë, shpejtësia e erës mbërriti deri në 200 kilometra në orë.

Një grua rreth 71 vjeç ndërroi jetë pasi u godit nga copat e një çatie në rajonin e Lombardisë. Ciara e njohur ndryshe edhe si stuhia Sabine, ka lënë pas një vazhdë shkatërrimesh në disa pjesë të Europës. Për shkak të saj, transporti pati probleme dhe shkollat u mbyllën në Belgjikë, Gjermani, Luksemburg e Holandë.

Top Channel