Zamorano “zbulon” blerjen e ardhshme të Interit: Mund të bëhen dy kilenë

10/02/2020 10:46

Ish sulmuesi i Interit kileni Ivan Zamorano ka “zbuluar” edhe blerjen e parë të klubit zikaltër në merkaton e verës së ardhshme.

Në një intervistë të dhënë për mediat kilene, Zamorano deklaroi se zikaltrit do të transferojnë Arturo Vidalin në verë, ndërsa këmbënguli se ka edhe informacione të sigurta e të privilegjuara në këtë aspekt.

“Nëse Sanchez do të qëndrojë te Interi edhe sezonin e ardhshëm, atëherë do të kemi dy kilenë me fanellën zikaltër, pasi do t’i bashkohet edhe Arturo Vidal. Për këtë kam informacionet e mia të sigurta dhe të privilegjuara. Në verë zikaltrit janë gati të bëjnë një sforco më të madhe, pasi Vidal është një lojtar i preferuar i Contes dhe të dy duan të punojnë sërish bashkë”, deklaroi Zamorano.

Interi kërkoi me ngulm të marrë Vidal që në janar, por duke parë zhvillimet te Barcelona, hoqi dorë dhe u përqendrua te danezi Eriksen. Megjithatë në verë Vidal mund të kërkojë sërish largimin nga Barça dhe zikaltrit janë gati t’i ofrojnë një kontratë dy vjeçare për ta vënë nën urdhrat e Contes.

Top Channel