Dhe kështu, gjithçka filloi, saktë-saktë, mëngjesin e 28 janarit 1936, në Arkhangelks. Ai ishte ftuar të luante koncertin e tij të parë për piano me orkestrën vendëse, nën drejtimin e Viktor Kubatskit; të dy ata kishin luajtur gjithashtu sonatën e tij të re për violonçel. Gjithçka shkoi mirë.
Mëngjesin tjetër ai shkoi në stacionin hekurudhor për të blerë një kopje të Pravdës. I hodhi një sy faqes së parë shkurtimisht, pastaj u kthye te dy të tjerat. Kjo ishte, siç e tha edhe vetë më vonë, dita më e paharrueshme e jetës së tij. “Me përjashtim të faktit se, – argumentoi mendja e tij kokëfortë, – asgjë nuk fillon kurrë ekzaktësisht kështu”. Ajo fillon në vende të ndryshme dhe mendje të ndryshme. E vërtetë, pika e nisjes mund të ishte vetë fama e tij. Apo opera e tij. Apo mund të ketë qenë Stalini i cili, duke qenë i pagabueshëm, ishte për rrjedhojë përgjegjës për çdo gjë.
Ose mund të jetë shkaktuar nga një gjë aq e thjeshtë sa, fjala vjen, mënyra e vendosjes së një orkestre. Për më tepër, kjo mund të ishte mënyra më e mirë për ta parë çështjen: një kompozitor fillimisht i denoncuar dhe i poshtëruar, më vonë i arrestuar dhe ekzekutuar, e gjitha kjo, për shkak të mënyrës së vendosjes së orkestrës. Nëse gjithçka kishte nisur gjetkë dhe në mendjet e të tjerëve, atëherë ai mundej ndoshta të mallkonte Shekspirin, sepse ai shkroi Makbethin.
Ose Leskovin për rusifikimin e saj në Ledi Maktbeth. Jo, nuk ishte fare kështu. Ishte e vetëtregueshme, faji i tij, sepse shkroi diçka që fyeu. Ishte faji i operës së tij që kishte aq shumë sukses – në atdhe dhe jashtë – sa kishte ngritur kuriozitetin e Kremlinit. Ishte faji i Stalinit, sepse ai mund të ketë frymëzuar dhe miratuar editorialin e Pravdës – e ndoshta e kishte shkruar vetë: kishte aty mjaftueshëm gabime gramatikore sa për të sugjeruar se ishte dora e atij të cilit nuk mund t’i korrigjohen kurrë gabimet. Ishte faji i Stalinit që e imagjinonte veten patron dhe connoisseur i arteve. Ai dihej se nuk kishte humbur asnjë shfaqje të Boris Gudunovit në Bolshoi. Ai ishte pothuajse entuziast për princin Igor dhe Sadkon e Rimski-Korsakovit.
E pse Stalini nuk deshi ta dëgjonte këtë opera të re të shumëlavdëruar, Ledi Makbeth e Mtsenskit? Dhe kështu, kompozitori u instruktua të ndiqte performancën e veprës së tij më 26 janar 1936. Edhe shoku Stalin do të ishte aty; gjithashtu shokët Molotov, Mikojan dhe Zhdanov. Ata zunë vendet në lozhën qeveritare. Kjo gjendej, për fat të keq, menjëherë sipër perkusionit dhe tunxhit. Seksione të cilat te Ledi Makbeth i Mtsenskut nuk ishin llogaritur të silleshin në mënyrë modeste dhe të ndrojtur. Ai rikujtoi se si pa nga lozha e drejtuesve, ku ishte ulur, te lozha e qeverisë në anën tjetër. Stalini ishte fshehur pas një perdeje të vogël, një prani munguese ndaj së cilës shokët e tjerë të dalluar ktheheshin në mënyrë lajkuese, duke e ditur se ata vetë ishin gjithashtu të vrojtuar.
Nën këtë situatë, si dirigjenti ashtu edhe orkestra ishin në mënyrë të kuptueshme, nervozë. Në pushimin para martesës së Katerinës, instrumentet e drurit dhe ato të tunxhit papritur, me nismën e vet, filluan të luajnë më fort nga sa pati caktuar ai. Dhe pastaj kjo u bë si virus që u përhap nëpër të gjitha seksionet. Nëse dirigjenti e vuri re, ai ishte i pafuqishëm për ta ndaluar. Orkestra u bë gjithnjë e më e zhurmshme dhe çdo herë perkusioni dhe tunxhi ulëritën fortissimo poshtë shokëve – mjaftueshëm fort sa për të shpërthyer dritaret, shokët Mikojan dhe Zhdanov zgërdhiheshin në mënyrë teatrale, ktheheshin te figura pas perdes për t’i bërë ndonjë koment tallës. Kur audienca pa nga lozha qeveritare në fillim të aktit të katërt, ata e panë atë bosh.
Pas shfaqjes, ai mori çantën e dorës dhe u nis menjëherë për te Stacioni Verior që të kapte trenin për në Arkhangelsk. Ai rikujtoi se si mendoi se lozha e qeverisë ishte përforcuar me pllaka speciale çeliku, për të mbrojtur frekuentuesit e saj nga vrasja. Por nuk kishte hekur të tillë të vendosur te lozha e drejtuesve. Ai nuk kishte mbushur ende as të tridhjetat dhe bashkëshortja e tij ishte shtatzënë pesëmuajshe në atë kohë. 1936: ai kishte qenë superticioz ndaj viteve të brishta. Si shumë njerëz, besonte se ato sillnin fatkeqësi.
Përktheu: Gjergj Erebara
Top Channel