Polemika për gjykimin në Itali, Napolit e Parmës u mungojnë penallti

10/02/2020 10:28

Ndonëse në Serinë A, ashtu si në shumicën e ligave të mëdha europiane, aplikohet sistemi i Video Assistant Referee (VAR), sërish polemikat mbi gjykimin vazhdojnë, ndërsa më të forta u bënë ditën e djeshme.

Kjo pasi Napoli u mposht me rezultatin 2-3 nga Lecce në “San Paolo”, por të kaltërve u mungon një penallti e pastër pas një ndërhyrjeje të Donatit ndaj Milik, ndonëse arbitri nuk e gjykoi të tillë dhe ndëshkoi polakun për simulim.

Në përfundim të ndeshjes, Drejtori Sportiv i napolitanëve Giuntoli shpërtheu ndaj arbitrit të takimit dhe renditi edhe raste të tjera, kur këta të fundit kanë refuzuar të rishikojnë pamjet në VAR dhe kanë gabuar.

“Në fushë u pa qartë kontakti, nga të gjithë përveç arbitrit. Megjithatë nuk e kuptoj pse nuk shkoi ta shihte në VAR. Jam i bindur që po ta shikonte, do jepte penallti dhe do hiqte kartonin e verdhë për Milik. Ne si shoqëri nuk mund t’i pranojmë raste të tilla, pasi po njësoj u ndëshkuam edhe ndaj Atalantës. Nëse kemi VAR-in, atëherë duhet ta përdorim për të shmangur gabimet”, deklaroi Giuntoli.

Top Channel