Spektakël në “BayArena”, Leverkuseni përmbys Dortmundin, Haaland mbetet “thatë”

08/02/2020 21:55

7 gola dhe disa herë përmbysje të rezultatit në përballjen mes Bayer Leverkusenit dhe Borussias së Dortmundit në sfidën që me siguri do të rezultojë më spektakolarja e javës së 21-të të Bundesligës, në fund të së cilës festuan “aspirinat” me rezultatin 4-3.

Emocione deri në sekondat e fundit të kësaj sfidë të zhvilluar në “BayArena”, ku vendasit, të shtyrë edhe nga publiku, arritën të merrnin tri pikë shumë të rëndësishme, që i afron ata me zonën Champions.

Në takimin e parë ku talenti norvegjez Haaland nuk arrin të shënojë, Dortmundi detyrohet të kapitullojë, duke humbur jo pak terren në garën për titullin e Bundesligës.

E hapi serinë e golave Volland në minutën e 20-të, pasi u shërbye me zgjuarsi nga Amiri, duke “djegur” dy mbrojtës në sprint me një gjuatje rrashf me tokën, që la të palëvizur portierin e verdhezinjve Burki.

Kundërpërgjigjja e Dortmundit ishte e menjëhershme, pasi vetëm dy minuta më vonë Hummels devijoi drejt rrjetës krosimin nga këndi të Sanchos, 1-1.

Në të 33-tën Emre Can, i sapobashkuar me verdhezinjtë nga Juventusi, lëshoi një të djathtë të kalibruar nga jashtë zonës, që përfundoi në trekëndësh, me rezultati që u përmbys në 1-2.

Gjithsesi, pjesa e parë u mbyll në baraspeshë, pasi në të 43-ën Volland, i gjendur në vendin dhe kohën e duhur pas kthimit të topit në qendër të zonës nga Tah, realizoi të dytin personal në këtë sfidë.

Fraksioni dytë rezervoi të tjera emocione, pasi Dortmundi mori për herë të dytë epërsinë, teksa Guerreiro, i shërbyer nga Hakimi, shënoi për 2-3 në minutën e 65-të.

Më pas, brenda dy minuta të çmendura (81’ dhe 82’), Leverkuseni përmbysi gjithçka me Baily-n dhe Bender, golat e të cilëve çuan në ekstazë publikun në “BayArena”. Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, me Dortmundit të detyruar të pranonte disfatën, që vinte pas 3 sukseseve radhazi në Bundesligë për këtë vit të ri kalendarik.

Top Channel