Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa arritën marrëveshje për koalicionin parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit në Maqedoninë e Veriut.

Krijimin e aleancës parazgjedhore e bëri të ditur kryetari i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela, partia e të cilit ka qenë nismëtare e bashkimit të partive opozitare shqiptare-Aleancës për Shqiptarët, Alternativës dhe Lëvizjes Besa. Sela konfirmoi, se pas takimit të zhvilluar me Afrim Gashin, kreun e Alternativës, është arritur ujdia dhe se do të jenë në pritje edhe 12 orë tjera për një përgjigje nga Lëvizja Besa.

Ai tha se do të bëjë çmos që vota shqiptare të unifikohet përmes një koalicioni të fuqishëm parazgjedhor.” Në këtë mënyrë ne ia dolëm që shqiptarëve të Maqedonisë t’i krijojmë adresën e saktë të ndryshimit në zgjedhjet e 12 prillit”, ka thënë ai. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë, se mbeten të interesuar që blloku opozitar shqiptar të forcohet e unifikohet meqë në këtë mënyrë do ta sjellin ndryshimin e sistemit qeverisës në Maqedoninë e Veriut duke e çuar në opozitë Bashkimin Demokratik për Integrim.

Aleanca për shqiptarët, Alternativa dhe Lëvizja Besa në përbërjen aktuale të Parlamentit kanë tetë deputetë. Sipas të gjitha sondazheve dhe përllogaritjeve supozohet se nëse këto tri parti opozitare shqiptare bashkohen në një koalicion parazgjedhor, në zgjedhjet e 12 prillit minimumi do të mund të fitojnë 12 deputetë e më shumë.

Top Channel