“Olimpico” shndërrohet në makth, Roma bie edhe ndaj Bolognës

07/02/2020 22:54

Roma vijon të zhgënjejë në “Olimpico” ku nuk fiton që prej 15 dhjetorit ndaj Spalit, ndërsa sonte ka pësuar humbjen e tretë në 4 ndeshje të zhvilluara para tifozërisë verdhekuqe, ndërsa i vetmi takim që nuk kanë dalë të humbur, ka qenë derbi ndaj Lazios.

Mbrëmjen e sotme ka qenë skuadra e Bolognës ajo që ka bërë “Olimpicon” të heshtë, pasi ia doli të fitojë me rezultatin 2-3, duke përfituar nga gabimet e shumta të kryeqytetasve në mbrojtje, ndërsa Roma e mbylli sërish ndeshjen me një lojtar më pak.

Takimi filloi me vrull dhe intensitet, ndërsa në minutën e 16’ mbrojtësi anglez Smalling nënvlerësoi një top të hedhur në zonë, duke mos pandehur ardhjen e Orsolinit nga mbrapa, ndërsa sulmuesi kuqeblu nuk e pati aspak të vështirë të shtyjë topin në rrjetë.

Reagimi i Romës ishte i duhuri dhe vetëm 6 minuta më vonë ishte Denswil që shënoi në portën e tij, duke rikthyer baraspeshën, por vetëm për pak çaste, pasi në minutën e 26’ Mousa Barrow shënoi një gol mjaft të bukur, i ndihmuar edhe nga një devijim i Santon.

Në fillim të pjesës së dytë ishte sërish sulmuesi i ardhur në huazim nga Atalanta, Barrow, që shënoi edhe golin e tretë për Bolognën, ndërsa nga ai moment loja u zhvendos në gjysmëfushën e kuqebluve, por Roma nuk ia doli të shmangë humbjen.

Në minutën e 72-të ishte fantazisti armen Heinrich Mkhitaryan që shënoi me kokë pas një krosimi të Bruno Perezit, duke rihapur takimin, por ashtu si në transfertën ndaj Sassuolos një javë më parë, edhe këtë herë verdhekuqtë mbetën me 10 futbollistë.

Mesfushori Bryan Cristante bëri një reagim aspak sportiv, duke ndërhyrë rëndë ndaj kundërshtarit, ndërsa arbitri nuk ia kurseu të kuqin, duke lënë Romën me 10 futbollistë. Gjithsesi verdhekuqtë provuan sërish të shmangin humbjen, por tentativat e Dzekos me shokë nuk përfunduan në kuadrat.

Kjo humbje lë Romën në vendin e 5-të me 39 pikë, ndërsa Bologna ngjitet në vendin e 6 me 33 pikë dhe tani fillon të shpresojë për një vend në zonën europiane.

Top Channel