E bujshme/ Real Madrid ndjek rrugën e Atleticos, eliminohet nga Kupa e Mbretit

06/02/2020 23:07

Reali i Madridit ka dështuar në rrugën drejt triumfit në Kupën e Spanjës, pasi është eliminuar në çerekfinale në mënyrë surprizë nga skuadra baske e Real Sociedadit, që ia doli të triumfojë me shifrat 3-4 në “Santiago Bernabeu”.

Trajneri Zidane kishte lënë pushim 2-3 titullarë në sfidën e mbrëmjes së sotme, por që gjithsesi në fushë kishte emra si Ramos, Marcelo, Kroos, Benzema, etj., të cilët gjithsesi nuk ia dolën të mbajnë skuadrën në garë për të triumfuar në një nga tre trofetë sezonalë.

Ish mesfushori i Realit të Madridit, Odegaard ishte ai që shënoi golin e parë për Sociedad në pjesën e parë, ndërsa në fillim të pjesës së dytë ishte sulmuesi Isak, që shënoi dy herë në portën e Areolës dhe çoi shifrat në 0-3.

Reali reagoi dhe shënoi një gol me Marcelon, por vetëm pak minuta më vonë ishte Merino që shënoi golin e katërt për skuadrën baske, gol që rezultoi edhe vendimtar për të vijuar më tej në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit.

Rodrygo e Jovic ishin lojtarët që Zidane zgjodhi për të tentuar përmbysjen, ndërsa braziliani dhe Nacho shënuan dy herë të tjera për madrilenët, duke çuar rezultatin në 3-4, por pa ia dalë të shmangin eliminimin.

Reali i Madridit është skuadra e dytë e madhe që i jep lamtumirën Kupës së Mbretit, pasi në raundin paraardhës ishte skuadra tjetër e kryeqytetit, Atletico, që u eliminua nga modestët e Cultural Leonesa.

Top Channel