Më shumë se 1300 topa basketbolli dhe 350 palë këpucë u lanë në kujtim të ikonës së basketbollit, Kobe Bryant, përpara stadiumit Staples Arena, sende të cilat u grumbulluan më pas nga stafi i Lakers-ave, ish-skuadrës së legjendës së ndjerë.
Presidenti i Staples Center, që njihet si “shtëpia, e cila Kobe Bryant ndërtoi”, Lee Zeidman, e publikoi një fotografi të 1353 topave të basketbollit, shumë prej të cilëve kishin të shkruar nga një mesazh të ndjerë.
Bryant, vajza e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë persona të tjerë humbën jetën, pasi helikopteri me të cilën po udhëtonin u rrëzua afër Los Angeles-it, më 26 janar.
Tifozët kanë lënë mijëra sende si shenjë përkujtimi për Bryant-ët dhe shtatë viktimat e tjera të kësaj tragjedie, sende që do t’i dërgohen familjes Bryant, diçka kjo e kërkuar nga e veja e Kobe-t, Vanessa.
“Tashmë ka kaluar një javë. Ne kemi kontratë për t’i zhvilluar disa ngjarje të tjera në stadium. Vanessa na ka kontaktuar dhe na ka thënë se familja dëshiron t’i marrë gjërat e lëna këtu. Kështu që ne do t’i ndajmë në kategori secilën – bluza, letra, topa basketbolli, kafshë pellushi, lodra. Do t’ia dërgojmë të gjitha familjes”, tha Zeidman.
Tifozët lanë 25 mijë qirinj, 5000 letra, 500 kafshë pelushi, 350 palë këpucë dhe 14 pankarta. Gjithashtu, një kosh mbeturinash 36 metra i gjatë është mbushur me lulet e lëna në Staples Arena.
Top Channel