Partizani bën detyrën ndaj Luftëtarit, Sormani feston fitoren e parë

02/02/2020 16:24

Partizani del nga kriza e rezultateve dhe e bën këtë me një fitore të pastër 0-3 në transfertën ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, ndërsa Adolfo Sormani feston fitoren e parë në stolin e të kuqve, pasi kishte koleksionuar tre humbje në tre sfidat e para zyrtare.

Pritej shumë kthesa e të kuqve sot, veçanërisht pas humbjes së turpshme ndaj Besëlidhjes në Kupën e Shqipërisë, ndërsa përballë një Luftëtari me shumë emra të rinj dhe pak përvojë, nuk ishte se si të rezultonte ndryshe.

Kryeqytetasit zhbllokuan sfidën që në minutën e dytë me anë të sulmuesit Theofilus Solomon, që ishte titullar në majën e sulmit, ndërsa në të 18-ën ishte radha e Rron Brojës që të shënonte golin e dytë dhe njëkohësisht të parin e tij me fanellën e kuqe.

Luftëtari provoi të rihapë takimin, por tentativat e pakta për të dalë në sulm, zgjidheshin keq, ose menaxhoheshin mjaft mirë nga lojtarët e prapavijës së Partizanit, që në minutën e 72-të shënoi edhe golin final me mesfushorin brazilian Willian Cordeiro.

Kjo ishte fitorja e parë të “të kuqve” për vitin 2020, ndërsa me 3 pikët e sotme, Partizani ngjitet përkohësisht në vendin e tretë të renditjes me 31 pikë, aq sa ka edhe Teuta e vendit të katërt.

Top Channel