Në Udine vendos Lukaku, Interi bind me blerjet e janarit

02/02/2020 22:52

Romelu Lukaku i jep fitoren (2-0) Interin në fushën e vështirë të Udineses pas 3 barazimeve radhazi në Serinë A. Sulmuesi belg shënoi të dy golat e sfidës (një me 11-metërsh) në “Dacia Arena”, ku Antonio Conte aktivizoi nga minuta e parë të tria blerjet e janarit, Ashley Young, Christian Eriksen dhe Victor Moses, zgjedhje që i dhanë të drejtë trajnerit nga Lecce.

Në fakt, gjatë pjesës së parë friulanët u shfaqën me të rrezikshëm me lojën e tyre, duke iu afruar golit me De Paul dhe Fofana, por diferencën e bëri një “bomber” si Lukaku në pjesën e dytë, fillimisht me një goditje të thjeshtë mes këmbëve të një mbrojtësi, që nxori jashtë loje portierin Musso (64’).

Pak çaste më vonë, Alexis Sanchez, i futur në fushë në vend të Espositos, fitoi një 11-metërsh, që u shndërrua në gol nga Lukaku, gol që rezultoi ai i sigurisë për zikaltrit, të cilët i administruan me qetësi minutat e mbetura të lojës. Interi me këtë fitore ruan vendin e dytë, me dy pikë më shumë se Lazio, e tri më pak se Juventusi kryesues.

Top Channel