Gjoba te Partizani/ Masa ndaj futbollistëve për humbjen rresht

31/01/2020 15:50

Humbja në derbi pas thuajse 6 vitesh ndryshoi sezonin e Partizanit, të paktën deri tani.

Ai gol i Kobinah i dha një goditje të fortë klubit të kuq aq sa që prej asaj mbrëmje në Air Albania asgjë nuk shkon siç duhet. Humbje qetësie, rezultate negative, shkarkim trajneri dhe gjoba. Gjithçka ka ndodhur që pas asaj ndeshje ku Largimi i Lerdës bëri që klubi të afronte Sormanin me të cilin ende rezultatet mungojnë. Këtë të enjte drejtuesit e klubit vendosën që të organizonin një mbledhje me futbollistët dhe stafin, një mbledhje që u drejtua nga presidenti Gazmend Demi dhe drejtori i përgjithshëm Olsi Rama.

Në të dy krerët më të lartë të Partizanit shprehën hapur pakënaqësitë për rezultatet dhe lojën e skuadrës që ka zhgënjyer jo vetëm ata por dhe tifozët. Masa që do të merret është ajo normalja në futbollin shqiptar apo në të tilla raste, gjobë monetare. Klubi I kuq është nga të paktët që tregohet i rregullt me pagat e futbollistëve të cilët nuk e kanë shqetësimin e shumicës së klubeve në superiore, me drejtuesit që janë treguar korrekt me ta deri tani kur duhet sipas tyre të përdorin dorë të hekurt. Nga ky takim futbollistët e kanë marrë mesazhin e qartë, duhet të bëjnë diçka për të ndryshuar fatin e sezonit sa janë ende në kohë në mënyrë që edhe klubi të zbutet për të mos thelluar krizën jo vetëm në rezultate por edhe në marrëdhënien direkte mes tyre.

Kjo mbledhje shërbeu gjithashtu për të hedhur poshtë zërat se mes presidentit Demi dhe drejtorit Rama ka pasur keqkuptime, ai takim me skuadrën tregoi qartë se gjuha e tyre është e njëjtë dhe vijojnë të ecin në rrugë të përbashkët, megjithatë mbetet për tu parë sa efekt do kenë fjalët e tyre tek ekipi i Sormanit.

Top Channel