Mëngjesin e 21 Janarit mijëra mbështetës të opozitës ju përgjigjën thirrjes për të dalë në protest. Video e regjistruar nga Dritan Prifti me shefin e tij politik Ilir Meta, e ndezi zjarrin e protestës.

Protesta e 21 janarit 2011 u mbyll me katër viktima, tre të vrarë me armë zjarri në harkun e dhjetë minutave dhe një i plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak ditë më vonë.

Të gjithë të qëlluar mes orës 16:00-16:10. Demonstruesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda vdiqën atë ditë, shtatë të tjerë u plagosën, mes të cilëve Aleks Nika, i plagosur rëndë ndërroi jetë në një spital në Turqi.

Orët që pasuan ishin një tjetër betejë, betejë nervash dhe deklaratash për përgjegjësinë e viktimave. Fillimisht kryeministri Berisha deklaroi se demonstruesit ishin vrarë nga afër, me pistoletë, duke aluduar se ngjarja ishte inskenuar nga opozita.

“Secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë të cilat, armë pistoleta të lehta, që nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shteti dhe as të Gardës së Republikës”, do të deklaronte kryeministri.

Opozita akuzoi qeverinë se qëlloi mbi demonstruesit, ndërsa në orët e tensionuara të mbrëmjes një grup prokurorësh nisi punën në vendngjarje. Rezultatet e para paralajmëruan atë që do të vinte më pas. Gjatë këqyrjes së vendngjarjes policia shkencore administroi brenda rrethit të kryeministrisë sasira të konsiderueshme gëzhojash, konkretisht 131 gëzhoja 9 milimetërshe, si dhe 436 gëzhoja 7, 62 milimetershe.

E ndërkaq, orët në vijim televizionet bënë publike pamje dhe foto të vrasjes së tre prej viktimave. Pamja e parë e personit të dyshuar si një ndër efektivët që qëlloi mbi turmën është foto qe tregon Agim Llupon në bodrumin e kryeministrisë, i vendosur sipas një plani masash që më pas u identifikua si grupi i zjarrit. Alibia e parë, ajo e vrasjes nga afër me pistoleta, ishte rrëzuar për disa orë.

Por ndërsa në këtë demonstratë Garda e Republikës kishte angazhuar 60 gardistë nga tre njësitë kryesore të saj, se kush qëlloi mbi demonstruesit gjatë ditëve të janarit 2011, do të qëndronte në mister për disa ore. Komandanti i Gardës do shprehej për herë të parë në kulmin e tensioneve politike.
“Kalimi i rrethimit është rasti më ekstrem dhe ku garda vepron në bazë të ligjit”, tha ai.

Por një ditë pas demonstratës e në vijim prokuroria u shpreh se po përballej me pamundësinë për t’i pyetur gardistët. Ajo deklaroi se kishte prerë urdhër-ndalime për gjashte efektivë të Gardës, kërkesë kjo që u refuzua të zbatohej nga policia, por që me sa u duk nuk do ishte vështirësia e vetme e hetuesve.

Më 25 janar, në fjalorin politik për betejën e 21 janarit hyri për herë të parë termi “puç”. Tani kryeministri Berisha kishte vënë në qendër të akuzave, Prokuroren e Përgjithshme, Presidentin e Republikës dhe opozitën.

“Ata që flasin për ngjarje bulevardi, nuk janë gjë tjetër përveçse horra dhe lavire bulevardi”, tha Berisha.
Ndërkombëtarët nga ana e tyre ishin te angazhuar te shmangnin te tjera tensione dhe përplasje mes palëve, me frikën e të tjerë viktimave dhe rrëshqitjes së vendit në kaos. Apeli i tyre ishte për qetësi për të bërë drejtësi. Në këtë atmosferë Prokurorja e Përgjithshme kërkoi ndihmë nga ndërkombëtarët dhe sikurse kishte ndodhur edhe më parë, u shtriu dorën amerikaneve.

“Ne kërkojmë ndihmën e SHBA-ve për asistence teknike të paanshme dhe të lartë profesionalisht. Asistenca e SHBA është më lart se ajo që ofrojnë ekspertët tanë. Këto hetime duan nivelin më të lartë për shkak të opinionit”, tha ish-kryeprokurorja, Ina Rama.

Në të gjithë këtë përpjekje ajo mori mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe te e Bashkimit Europian. Në fillim të shkurtit kërkesa e ish-prokurores së Përgjithshme Ina Rama u plotësua dhe në organin e akuzës u shfaq prokurori amerikan Majk Kejn i cili do të asistonte prokurorët shqiptarë për administrimin e provave.

Megjithatë do të duheshin ditë deri sa policia të bindej dhe të ekzekutonte urdhrat e prokurorisë. Më 4 shkurt Agim Llupo më detyrë shef i njësisë speciale u arrestua, pasi laboratori i kriminalistikës e implikonte atë të kishte qëlluar me armën mp5 ndaj Ziver Veizit. Menjëherë pas kësaj, por vetëm tre javë pas ngjarjes, u pyetën për herë të parë për 21 janarin edhe zyrtarë të tjerë të gardës, mes tyre edhe komandanti i gardës Ndrea Prendi.
Nën arrest u mbajtën gardistet Sadik Ccela, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli dhe Agron Malaj, që më pas nga gjykata u lanë me 30 ditë burg. I vetmi për të cilin u vendos detyrim paraqitje ishte Agron Malaj.

Këto masa do të rrëzoheshin në apel për shkak se gjykata çmoi mos argumentimin e akuzës nga ana e prokurorisë. Viti 2011 do të kalonte vetëm me një të arrestuar. Por kthesa e hetimeve do te dukej se do të vinte në një vjetorin e tragjedisë.

Ekspertiza e dërguar nga FBI, të cilën deri atë ditë të gjithë palët e konsideronin si të vetmen të besueshme, solli edhe arrestime të reja, mes tyre komandanti i gardës Ndrea Prendi, Armando Kasaj shef i IT në kryeministri dhe Margarit Kume. Ekspertiza shprehej qartë:
“Në laboratorin e kriminalistikës së FBI, rezulton e provuar tej ccdo dyshimi se pistoleta personale e Ndrea Prendit, predha e dale prej saj, ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj”.

Por efekti i ekspertizës do të shuhej shumë shpejt. Të arrestuarit, mes të cilëve edhe Ndrea Prendi u lanë në arrest shtëpie nga shkalla e parë. Pafajësia e parë u shpall nga Gjykata e Tiranës për dosjen e veçuar ndaj Armando Kasajt, çështja e të cilit ende nuk është shqyrtuar në apel.

Prokuroria ia dërgoi kërkesën për gjykim ku akuzonte ish-kreun e Gardës së Republikës për vrasje me dashje në rrethana cilësuese, ndaj Faik Myrtajt, Agim Llupon për të njëjtën akuzë ndaj Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës dhe Margarit Kumes për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Tani versioni ndryshoi përsëri. Në kohë rekord dhe si asnjëherë më parë, debati kryesor mes palëve u kthye në atë nëse kishim të bëjmë me qitje të drejtpërdrejtë apo rikoshet, ku dhe u përplasën ekspertizat.

Edhe pse prokuroria i qëndroi deri në fund akuzës së vrasjes me dashje dhe u tërhoq nga qëndrimi i saj për Kumen, kjo akuzë u gjet e pafaktuar nga gjykata e cila në seancën e 41 dha verdiktin e saj, përkundër 48 viteve burg që kërkuan prokurorët ajo deklaroi tre pafajësi. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për drejtësi për 21 janarin.

Çdo familje e personave të vrarë ka marrë shpërblim nga qeveria 525 mijë euro duke e çuar në total mbi 2 milion euro të dhëna.
Ndërsa më 26 prill të vitit 2019 Strasburgu ka dalë në vendimin familjet të merrnin edhe një këst tjetër parash.

VENDIM
Kërkesa nr. 62907/16
Rinaldo Myrtaj dhe të tjerët kundër Shqipërisë/ Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur si një Komision, më 5 mars 2019, i përbërë nga:
Valeriu Griţco, kryetar,
Ivana Jelić, Darian Pavli, gjyqtarë,
Hasan Bakırcı, zëvendëssekretar i Seksionit,
Në lidhje me kërkesën e mësipërme, paraqitur më 25 tetor 2016, në lidhje me deklaratat formale, ku pranohej një zgjidhje me pajtim e çështjes, pasi diskutoi, vendosi si më poshtë:

FAKTET DHE PROCEDURA

Qeveria shqiptare u përfaqësua nga agjentja e saj e atëhershme, znj. A. Hicka, nga Avokatura e Shtetit. Kërkuesit u ankuan, mbështetur në nenin 2 të Konventës, se e drejta për jetën e familjarëve ishte shkelur si pasojë e veprimeve të Gardës Kombëtare gjatë protestës së zhvilluar më 21 janar 2011. Gjithashtu, ata u ankuan se përdorimi i dhunës vdekjeprurëse nuk ishte absolutisht e nevojshme dhe se autoritetet, nuk kryen një hetim efikas për vdekjen e familjarëve të tyre. Kërkesa iu komunikua Qeverisë më 20 nëntor 2017.

Më 30 korrik 2018 dhe më 14 dhjetor 2018, Gjykata mori deklarata për zgjidhje miqësore, të firmosura nga të gjitha palët.

Deklarata parashtron se:

“Kërkuesit ranë dakord të heqin dorë nga pretendimet e tjera kundër Shqipërisë në lidhje me faktet, të cilat ngrenë këtë kërkesë kundër angazhimit të Qeverisë për t’i paguar ata:

Rinaldo Myrtaj, EUR 39,000 (tridhjetë e nëntë mijë euro)

Mamude Myrtaj, EUR 39,000 (tridhjetë e nëntë mijë euro)

Ilmi Deda, EUR 15,600 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind euro)

Alma Rredhi, EUR 10,000 (dhjetë mijë euro).

Për të mbuluar dëmet monetare dhe jo monetare si edhe kostot dhe shpenzimet, të cilat do të jenë në monedhën vendase në normën e zbatueshme në datën e pagesës, dhe do të paguhen brenda tre muajve nga data e njoftimit të vendimit të marrë nga Gjykata. Në rast se kjo shumë nuk paguhet brenda periudhës së lartpërmendur prej tre muajsh, Qeveria merr përsipër të paguajë interes të thjeshtë ndaj saj, nga përfundimi i asaj periudhe deri në shlyerje, në një normë të barabartë me normën margjinale të huadhënies së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës përkatëse plus tre përqind. Pagesa do të përbëjë zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Në vijim, Qeveria pranon se hetimi i kryer për rrethanat e vdekjes së të afërmve të kërkuesve nuk pajtohej me nenin 2 të Konventës dhe se këto çështje nuk adresoheshin në procedimet penale të realizuara, të sipërpërmendura. Gjithashtu, Qeveria ndërmerr rihapjen e procedimeve të brendshme penale për këtë çështje, duke marrë në konsideratë përfshirjen e të afërmve të viktimave në këto procedime.”

FOTO GALERI
5/84

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA