Dhurata është 48 vjeçe dhe jeton në një nga apartamentet e banesave sociale, pranë Ujësjellësit në Durrës.
Brenda një viti jeta e saj është transformuar rrënjësisht, ndaj ajo kërkon ndihmë publikisht.
“Kam gati 3 muaj që jam operuar me tumor në kokë. Nuk jam mirë aspak. Edhe mjekimet e kuptoj që s’më bëjnë mirë, por askush nuk më dëgjon. Vetëm më shpërfillin. Sikur nuk jam njeri. Edhe vajzën e vetme e kam dhënë për birësim. Ndjehem e vetme dhe e braktisur nga të gjithë”, thotë Dhurata Koka.
Dhurata ka punuar në ndërmarrjen artistike të Shijakut dhe pas martesës u zhvendos në Durrës ku bëri punë të ndryshme, në të zezë. I shoqi atëherë punonte në Kantierin Detar, e pas mbylljes së tij ngeli papunë dhe pati probleme kardiake. Pamundësia financiare e mundon shumë Dhuratën dhe në dëshpërim shpesh sheh si zgjidhje vdekjen, përmes eutanazisë.
“Kam vetëm bashkëshortin, po dhe ai është i sëmurë. Do i bëja thirrje kryeministrit, ministres së shëndetësisë, të bëjnë diçka. Të vejnë dorën në zemër ose le të më bëjnë një injeksion e të vdes. Kështu nuk jetoj më, ose mjekët të mblidhen e të më shikojnë”, shton më tej.
I shoqi, Shpëtimi përpiqet ta ndihmojë mesa mundet, po dhe ai e ka të vështirë i vetëm. Shpenzimet e shumta, radhët dhe ecejaket nëpër zyra e spitale e kanë lodhur.
“Është shumë e vështirë, pasi dhe unë jam invalid i grupit të dytë dhe ajo nuk lëviz nga krevati. Duhet ta çoj në banjo e për të gatuar…. Me pensionet tona nuk e di se çfarë do të bëjmë. Prej një viti nuk kemi paguar as qiranë e banesës sociale”, thotë Shpëtim Koka.
Bashkë me shpresën e pakët për ndihmë dhe shërim, Dhurata mban ndezur besimin se një ditë do të bashkohet sërish me të bijën.
Top Channel