Superliga rinis të martën, përcaktohen oraret e ndeshjeve të javës së 18

15/01/2020 22:09

Pas rreth një muaji pushime, Kategoria Superiore do të rikthehet të martën e 21 janarit me ndeshjet e javës së 18, që është njëkohësisht edhe java e fundit e fazës së dytë dhe do të shënjojë fundin e gjysmës së parë të kampionatit.

Të 5 takimet do të luhen ditën e martë në dy fasha oraresh, teksa gjithçka do të startojë në orën 14:00 me sfidat Luftëtari-Kukësi dhe Vllaznia-Flamurtari, ku pritet me interes performanca e vlonjatëve dhe gjirokastritëve në këtë vit të ri, pasi në pjesën e parë të sezonit zhgënjyen, duke u renditur në vendet e fundit.

Në orën 17:00 do të luhen edhe tre takimet e tjera, mjaft interesante, si Skënderbeu-Partizani, Tirana-Bylis dhe Teuta-Laçi. Tekniku i ri i kampionëve në fuqi, Adolfo Sormani do të debutojë zyrtarisht pikërisht në Korçë, në një përballje ku Partizani do të kërkojë të marrë maksimumin.

Me mjaft interes pritet edhe sfida mes Tiranës dhe Bylisit, me bardheblutë që kanë rilindur në javët e fundit me Egbo në stol dhe mallakastriotët që kanë bërë një pjesë të parë të sezonit në kufijtë e perfektes.

Po në orën 17:00 do të zhvillohet edhe përballja Teuta-Laçi në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, një ndeshje mes dy skuadrave që drejtohen nga trajnerë shkodranë dhe që do të kërkojnë të ruajnë ecurinë e mirë të javëve të fundit.

Top Channel