Nëse pas 3 fitoreve radhazi të marra në fundin e kampionatit Egbo mund të kishte ndonjë mëdyshje (nëse ekipi do të vazhdonte të kishte të njëjtën vazhdimësi dhe në pjesën e dytë të kampionatit), dy miqësoret turke të luajtura në Antalia po tregojnë se ekipi ka ruajtur qëndrueshmërinë, aq më tepër që në ditët e fundit dhe grupi ka qenë i plotë për trajnerin, pasi është bashkuar dhe Kobinah.

Në sfidën e parë me Alanyasporin, Tirana, sidomos në pjesën e dytë, shfaqi një lojë shumë të mirë, pati sinjale pozitive dhe nga Ngoo dhe në përgjithësi Egbo mori ato përgjigje për të cilat kishte nevojë. Ndaj rivalit hungarez, këtë të shtunë, trajneri nigerian gjithashtu e pa Tiranën të qëndrueshme, duke zbatuar idetë e tij në fushë dhe mbi të gjitha këtë herë duke fituar, fitore që vlejnë dhe për moral për pjesën e dytë të kampionatit, i cili duke marrë shkas dhe nga mbyllja e vitit të kaluar duhet të jetë i lartë te bardheblutë.

Mbi të gjitha shënuan dhe dy lojtarë që u kishte munguar goli. Ngoo, në sfidën e parë shënoi pas më tepër se dy muajsh, ndërsa Elton Cale gjithashtu kishte nevojë për një finalizim, pasi nuk arrinte të realizonte që prej sfidës së tetorit ndaj Laçit. Në total, dy testet miqësore deri tani i kanë dhënë jo pak elementë pozitivë trajnerit Egbo, që me Tiranën e fazës përgatitore po ndihet komod ashtu si me atë që e udhëhoqi në një fundvit fantastik.

Top Channel