Inter vuan ndaj Atalantës, Handanoviç i shmang humbjen në fund

12/01/2020 09:32

Interi ngec sërish në shtëpi dhe e bën këtë në javën e fundit të fazës së parë përballë një prej skuadrave më në formë të kampionatit italian, siç është Atalanta, ndaj të cilës nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1.

Dy skuadra që luajnë me të njëjtin modul loje dhe dy trajnerë miq me njëri-tjetrin, ndërsa mbrëmjen e sotme u vunë përballë edhe sulmi më i mirë i kampionatit, që është ai i bergamaskëve, përballë mbrojtjes më të mirë që është ajo milaneze.

Sfida nisi mjaft mirë për Interin, teksa që në minutën e katërt ishte bomberi argjentinas Lautaro Martinez, që pasi kombinoi në mënyrë perfekte me Lukakun, arriti të marrë bukur topin në zonë dhe të mposhtë Gollinin, duke dërguar topin në rrjetë.

Pjesa e parë ishte shumë interesante, me të dy skuadrat që sulmonin vazhdimisht, por asnjëra nuk ia doli të dërgojë top[in në rrjetë, ndonëse më pranë i shkuan bergamaskët, që pretenduan edhe një 11-metërsh në fundin e 45-minutëshit.

Ishte Lautaro Martinez që mbajti nga këmba futbollistin e Atalantës, ndërkohë që ai po vraponte për të gjuajtur drejt rrjetës topin e kthyer nga Handanovic, por si arbitri në fushë, ashtu edhe ai në VAR, nuk ndërhynë për të akorduar penalltinë.

Pjesa e dytë foli tërësisht për Atalantën, që zhvendosi lojën në gjysmëfushën e Interit dhe kërkoi vazhdimisht golin e barazimit, ndërsa Interi tentonte kundërsulmet me Lukakun e Lautaron, por pa arritur të dalë rrezikshëm.

Në minutën e 75-të, pas një korsimi pa shumë pretendime, ishte Gosens, që përfitoi maksimalisht nga një hutim i Candrevës në zonë dhe shtangu portierin Handanovic, duke barazuar rezultatin.

Më pas në minutën e 88’ arbitri Gianluca Rocchi vendosi të korrigjojë gabimin e pjesës së parë, duke akorduar penallti për Atalantën, ndonëse pamjet tregonin më shumë për një simulim të futbollistit bergamesk në një kontakt me Bastonin.

Megjithatë nga pika e penalltisë shkoi Luis Muriel, që gjuajti fort në cepin e portës, por Samir Handanovic tregoi se jo më kot është kapiteni i kësaj skuadre dhe grushtoi saktë topin, duke shmangur humbjen e të tijve.

Vërshëllima finale la në fuqi barazimin 1-1, që çon Interin në kuotën e 46 pikëve, një më tepër se Juventusi që luan nesër ndeshjen e fundit të fazës së parë, ndërsa Atalanta merr një pikë dhe barazon Romën në vendin e katërt të renditjes.

Top Channel